Deri më gjashtë prill të këtij viti, qytetarët e Kosovës kanë mundësinë të tërheqin 10-përqindëshin nga Trusti. Kurse, ndërsa deri tani kanë aplikuar mbi 90 për qind e qytetarëve, duke tërhequr 197 milionë euro.
Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës njofton se më 6 prill përfundon afati për aplikim për tërheqjen e 10-përqindëshit.
Sipas Trustit, pas kësaj date kontribuuesit nuk mund të aplikojnë për këtë shërbim.
“I njoftojmë të gjithë kontribuuesit që nuk kanë aplikuar për tërheqjen e 10%-shit se më datë 6 prill 2021 përfundon afati për aplikim. Webfaqja për aplikim është: www.trusti10.org. Siç e ka përcaktuar Ligji, pas 6 prillit 2021 nuk do të mund të aplikohet për tërheqjen e 10%-shit”, thuhet në njoftim.
Në Trust kanë treguar se numri i aplikimeve ka shkuar deri në 425 mijë që kap shifrat e rreth 197 milionë euro.
“Nuk presim që shuma të kap 200 milionë euro në ditët që kanë mbetur. Jemi brenda pritshmërive, s’kemi pritur që do ta kapim këtë shifër. Jemi në kthim pozitiv, kjo rritje e vlerës ka ndikuar që të kemi tërheqje më të lartë”.
Bëhet e ditur se qytetarët kanë dërguar ankesa për çështjen e rimbursimit të kontributeve dhe që presin se ankesat mund të shkojnë edhe te Avokati i Popullit dhe Gjykata Kushtetuese.
Tërheqja e këtyre mjeteve është garantuar me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike të votuar në Kuvendin e Kosovës si ndihmë për periudhën e pandemisë COVID-19.
Qeveria e Kosovës me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Fondin Pensional parasheh kompensimin e mjeteve të tërhequra në vlerë nën 10 mijë euro.
Sipas këtij ndryshimi, pjesëmarrësit aplikojnë në formë elektronike pranë FKPK-së brenda katër muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij Ligji.
Aplikimi për tërheqjen e 10 përqindëshit ka filluar më 11 dhjetor, ndërsa do të jetë i hapur katër muaj deri më 6 prill 2021.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.