Sot në Prishtinë do të mbahet protesta e paralajmëruar kundër vendimit të të Bankës Qendrore të Kosovës për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26% i cili ka hyrë në fuqi.
Pas hyrjes në fuqi të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26 % ka pasur reagime të shumta nga qytetarët.
Madje janë organizuar edhe protesta, një prej të cilave do të mbahet sot para objektit të Bankës Qendrore të Kosovës.
Protestën e sotme, që fillon në orën 13:00, e organizon grupi në Facebook “Merakli t’kerreve”, i cili e kundërshton vendimin e BQK-së.
Ky grup po e kundërshton fuqishëm këtë vendim me arsyetimin se i njëjti prek xhepat e secilit qytetar dhe përkeqëson gjendjen ekonomike.
“Të gjithë e kemi parasysh që nga data 15 Nëntor ka hyrë në fuqi vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26%. Duke e ditur këtë fakt i cili prekë xhepat e secilit qytetar dhe përkeqëson edhe më tutje gjendjen tonë ekonomike, ne si komuniteti më i madh i veturave në Kosovë dhe më gjerë nuk do rrimë duarkryq, prandaj me datë 22 NËNTOR 2019 (E Premte) nga ora 13:00 grupi ‘Marakli t’kerreve’ organizon protestë me qëllimin e vetëm, atë të kundërshtimit të këtij vendimi”.
Shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve e ka arsyetuar guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti.
Mehmeti, dje, në një konferencë për media të mbajtur enkas për këtë çështje tha se vendimi i tyre është marrë edhe duke respektuar rekomandimet e bëra nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, teksa e la të hapur mundësinë që një kompani e huaj të rishikojë çmimet.
“Me rishikimin e tarifave që e kemi bërë këtë vit ne e kemi shmangur një shkelje ligjore e gjithë kjo me qëllimin më të mirë që sektori i sigurimeve të kenë një qëndrim financiar. Kërkesat kanë qenë të vazhdueshme nga kompanitë e sigurimeve që kanë kërkuar që tarifa të rritet për 36 për qind. Ne e kemi refuzuar atë. Në vitin 2001 nuk kemi pasur obligime për automjetet që aksidentohen në Shqipëri. Tani dëmet që shkaktohen në Shqipëri paguhen këtu. Vetëm në vitin 2018 janë paguar 420 mije euro për automjetet tona që janë aksidentuar në Shqipëri”.
Kurse, gjatë ditës djeshme ka dërguar komunikatë për media edhe Shoqata e Sigurimeve të Kosovës, ku është theksuar se sigurimet për 18 vjet paguan 400 milionë euro dëme dhe pësuan 23,5 milionë euro humbje për gjashtë vjet.
Me këtë rritje, për makina me kapacitet prej 1.1 deri në 1.3 kubik, sigurimi nga 100 euro do të kushtojë 127 euro.
Derisa për ato nga 1.9 deri në 2.2 kub nga 184 do të bëhet 233 euro.
Por, më së shumti i bie të paguajnë automjetet me kapacitet mbi 2.7, ku nga 247 do të japin 313 euro për sigurimin fillestar. .Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.