Qeveritë po kuptojnë nevojën për të përmirësuar aksesin në internet për gjithë qytetarët, veçanërisht ata në komunitetet rurale
Interneti nuk është një luks, por e drejtë themelore. Pandemia Covid-19 e bëri këtë më të qartë se kurrë. Falë internetit, njerëzit mësuan, bënë blerje, veprime në bankë, u socializuan, morën shërbim shëndetësor dhe në shumë raste, punuan nga shtëpia.
Për rreth 3.6 miliardë njerëz në botë, megjithatë, këto ishin të pamundura, pasi nuk kishin as lidhjen më bazike të internetit. Sa nga 15 trilionë dollarë, sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që mund të ketë humbur bota në produktivitet për shkak të Covid-19, mund të ishin kursyer, nëse të gjithë do të kishin pasur lidhje në internet? Ne duhet të veprojmë tani për të lidhur me internet komunitetet ku ai mungon. Jo vetëm në qytete inteligjente, por edhe në fshatra dhe qyteza inteligjente.
Lidhja e zonave rurale në botë
Lajmi i mirë është se ekzistojnë zgjidhje krijuese dhe ambicioze për të ndihmuar në lidhjen e komuniteteve në të gjithë botën.
Në El Salvador, për shembull, hendeku dixhital, në afat të gjatë, do të thotë se vetëm rreth gjysma e popullsisë përdor internetin, ndërsa rreth dy të tretat e shkollave publike janë offline. Për fat të mirë, vendi e ka kuptuar koston që kjo ka pasur në produktivitet, barazinë gjinore dhe arsimim dhe e ka vendosur këtë problem si përparësi të qeverisë.
Sektori publik dhe ai privat po punojnë së bashku për të lidhur me internet një pjesë të mirë të shërbimeve publike në El Salvador, me synimin për të pasur internet me brez të gjerë në çdo shkollë brenda vitit 2030. Kjo jo vetëm do të përmirësojë ndjeshëm aksesin në internet, por do të hedhë bazat për një ekonomi dixhitale moderne.
Në të njëjtën kohë, rreth 150 fshatra në Argjentinë janë lidhur me internet këtë vit, pasi rregullatori i telekomunikacioneve Enacom përcaktoi spektrin 450 Mhz për mbulimin me internet me brez të gjerë të zonave rurale. Kjo është pjesë e një nisme të qeverisë për të zvogëluar hendekun dixhital social dhe ekonomik, që është rritur ndjeshëm gjatë pandemisë.
Përveçse do të lidhë njerëzit, interneti me brez të gjerë mobile do të mundësojë edhe zgjidhje bujqësore inteligjente, një faktor kyç në zhvillimin ekonomik në zonat rurale. Në pjesë të tjera të botës, investimet në rrjetet fikse po përmirësojnë lidhshmërinë. Në Nepal, për shembull, po modernizohen 1500 kilometra rrjete optike për të siguruar internetin me brez të gjerë me shpejtësi të lartë. Kjo do t’i lejojë ofruesit të shërbimeve lokale të përmbushë kërkesën në rritje për internet me brez të gjerë dhe t’u sigurojë përdoruesve cilësi të përmirësuar në shërbim.
Ndikimi i shumëfishtë
Përveç faktit që lidhja me internet është një e drejtë themelore, përhapja gjerësisht e tij ka ndikim të shumëfishtë. Në përgjithësi, ajo mund të nxisë përparimin ekonomik dhe social në të gjithë vendin. Kjo krijon shpresa të mëdha. Studime të ndryshme tregojnë një lidhje të fortë midis internetit me brez të gjerë dhe rritjes së numrit të vendeve të punës dhe PBB.
Kjo përkon me atë që shohim vazhdimisht te Nokia. Kombet, qytetet por edhe komunitetet që investojnë në lidhjen me internet regjistrojnë rritje në punësim, aftësi, të ardhura, sipërmarrje dhe cilësi jete.
Vendet me të ardhura të ulëta që ia dalin të rrisin depërtimin e internetit me brez të gjerë mobile me 10% kanë gjasa të regjistrojnë një rritje me rreth 2% në PBB. Efekti i gjithanshëm është edhe më befasues – Banka Botërore vlerëson se rritja në 75% e aksesit në internet në vendet në zhvillim do të krijonte më shumë se 140 milionë vende pune në botë.
/ World Economic Forum