Qiellgërvishtëset përkufizohen si ndërtesa të larta dhe të banueshme, që kanë shumë kate. Lartësia që duhet të ketë një ndërtesë që të konsiderohet si qiellgërvishtëse nuk është e pranuar botërisht.
Gjatë viteve 1880, ky term përdorej për t’iu referuar ndërtesave me 10 deri në 20 kate – por këto lartësi vështirë se do të mjaftonin për të befasuar ndokënd sot.
Ndërtesat me 10 deri në 20 kate konsiderohen të larta, pa dyshim, por nuk mund të përfshihen në kategorinë e “qiellgërvishtëseve”. Në përgjithësi, burime të ndryshme e përcaktojnë një qiellgërvishtës si të paktën 100 ose 150 metra të lartë. Sot, shumë qytete në mbarë botën kanë një numër vërtet të lartë qiellgërvishtësesh.
Qytetet me më shumë qiellgërvishtëse
Në fund të vitit 2021, kishte vetëm 13 qytete në botë që mund të krenoheshin për faktin se kishin më shumë se 100 qiellgërvishtëse (sipas përkufizimit që qiellgërvishtëse konsiderohen ndërtesat 150 metra e lart). Pesë qytetet me më shumë qiellgërvishtëse janë:
- Hong Kong: 510 qiellgërvishtëse
- Shenzhen, Kinë: 332 qiellgërvishtëse
- Nju Jork: 296 qiellgërvishtëse
- Dubai: 232 qiellgërvishtëse
- Shangai, Kinë: 175 qiellgërvishtëse
Tetë qytetet e tjera në rend zbritës janë Tokio, Guangzhou, Chongquing, Çikago, Wuhan, Bangkok, Xhakarta dhe Kuala Lumpur.
Mund të vihet re se asnjë qytet europian nuk përfshihet në këtë listë. Kjo sepse europianët priren të pëlqejnë më shumë qytetet e tyre të vjetra dhe nuk i preferojnë lartësitë e mëdha. Për këtë arsye, ata shpesh vendosin kufizime strikte për lartësitë e ndërtesave që janë të lejueshme. Në Paris, Kulla Eifel vazhdon të mbetet struktura më e lartë në qytet.
Edhe pse qyteti i Nju Jorkut (dhe Amerika në përgjithësi) ishte në qendër të zhvillimit të hershëm të qiellgërvishtëseve, ai ka rënë në vendin e tretë për numrin e tyre.
Zhvillimi i Qiellgërvishtëseve
Në fillim të shekullit XX, qyteti i Nju Jorkut ishte qendra e lëvizjes arkitekturore Beaux-Arts. Me përmirësimin e metodave të ndërtimit dhe të teknologjive inxhinierike, Nju Jorku dhe Çikago u bënë pikat kryesore të konkurrencës për ndërtimin e qiellgërvishtësit më të lartë në botë (një konkurrencë që duket se tashmë është zhvendosur në Lindjen e Mesme dhe në Azi).
Disa nga ndërtesat më të rëndësishme përgjatë vijës kohore të ndërtimit të qiellgërvishtëseve janë:
- Ndërtesa E.V. Haughwout: (Manhatan) Ndërtesa e parë që instaloi me sukses një ashensor në vitin 1857
- Ndërtesa Equitable Life: (Manhatan) Ndërtesa e parë për zyra që kishte ashensorë për njerëzit, jo vetëm për ngarkesa
- Ndërtesa Home Insurance: (Çikago) Ndërtesa e parë e lartë me skelet prej çeliku
- Ndërtesa Chrysler: (Nju Jork) U bë më e larta në botë duke arritur 316 metra lartësi
- Ndërtesa Empire State: (Nju Jork) E para që ka më shumë se 100 kate, arriti lartësinë 381 metra
- Burj Khalifa: Ndërtesa më e lartë në botë edhe sot e kësaj dite
- Kulla e Jeddah: Ndërtesa më e lartë në ndërtim e sipër, e planifikuar të jetë qiellgërvishtësi i parë 1 kilometër i lartë. Ndërtimi aktualisht është pezulluar. / The Travel