Tel Avivi është renditur qyteti më i shtrenjtë në botë për të jetuar falë rritjes së shpejtë të inflacionit që ka rritur koston e një game të gjerë mallrash dhe shërbimesh në të gjithë botën në vazhdën e pandemisë së koronavirusit.
Qyteti izraelit u ngjit me pesë vende në 12 muajt e fundit, duke hequr nga ven di i parë tre fituesit e vitit të kaluar, Hong Kongun, Parisin dhe Zyrihun, sipas renditjes nga Njësia e Inteligjencës e The Economist (EIU).
Indeksi i kostos botërore të jetesës për vitin 2021 gjurmon koston e jetesës në 173 qytete globale, 40 më shumë se vitin e kaluar, dhe krahason çmimin e më shumë se 200 produkteve dhe shërbimeve të përditshme.
Kryeqyteti francez së bashku me Singaporin renditen në vendin e dytë, ndërsa Zyrihu dhe Hong Kongu përbëjnë pesçen e parë. Në vendin e gjashtë renditet Nju Jork , me Gjenevën në të shtatin, dhe Kopenhagen, Los Angeles dhe Osakën që përmbyllnin Top 10. Londra renditet në vendin e 17, ndërsa qytetet australiane Sidnei dhe Melburn përkatësisht në vendin e 14 dhe 16.
Ngritja e Tel Avivit në renditje ishte pjesërisht për shkak të fuqisë së monedhës kombëtare, shekelit, kundrejt dollarit, si dhe rritjes së çmimeve për transportin dhe produkteve ushqimore.
Dyzet qytete të reja iu shtuan renditjes këtë vit. Kryeqyteti skocez Edinburgh ishte hyrja e re më e lartë në top lista, duke u renditur në vendin e 27-të në të njëjtin nivel me qytetet me kosto të lartë jetese si Auckland dhe Minneapolis. Dy qytete të tjera të reja, Shtutgarti dhe San Diego gjithashtu hynë në Top 50.
Roma pati rënien më të madhe pasi ra me 16 vende në 48, me një rënie veçanërisht të mprehtë në koston e produkteve ushqimore dhe veshjeve.
Damasku u rendit si qyteti më i lirë në botë për të jetuar, i ndjekur nga Tripoli në Libi dhe Tashkenti, kryeqyteti i Uzbekistanit./ The Guardian
Qytetet më të shtrenjta në botë për të jetuar gjatë pandemisë së Covid-19