Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka deklaruar sot se nuk ka ende një projekt konkret për lumin Radika. Sipas tij vendimi përfundimtar për realizimin e projektit “Fusha e Lukovës”, do të varet nga studimi me të cilin po merret Banka Botërore, ndërsa qetësoi banorët e Dibrës me garancinë se Qeveria e tij nuk do të ndërtojë projekt që do ti dëmtonte qytetarët dhe mjedisin.
“Banka Botërore është duke përgatitur projektin e mjedisit që duhet ti tregojë përparësitë dhe dobësitë e mundshme. Për këtë projekt do të merret vendimin përfundimtar. Nëse projekti tregon se nuk ka dëme serioze për mjedisin, për qytetarët, në këtë rast do të shkojmë më tej dhe projektin do ta realizojmë. Nëse projekti tregon se është i dëmshëm për mjedisin dhe për qytetarët dhe fqinjët, projektin e tillë, Banka Botërore nuk do ta mbështesë’, deklaroi Nikola Gruevski.
Pas kësaj deklarate ka reaguar Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili ka theksuar se qëndrimi i Gruevskit është në sinkron të plotë me atë çfarë ka deklaruar qeveria shqiptare. Koka ka sqaruar se nuk do realizohet asnjë projekt që sjell dëm ndaj qytetarëve dhe vendeve fqinje.
“Më vjen mirë që Gruevski pohoi atë që ka thënë edhe qeveria shqiptare. Gruevski pohoi atë që ka deklaruar qeveria shqiptare dhe Kryeministri Rama. Nuk do realizohet asnjë projekt që sjell dëm ndaj qytetarëve dhe vendeve fqinje”,deklaroi Koka.
Më herët Aleanca Kundër Devijimit të Lumenjve zhvilloi një protestë përpara Piramidës në kryeqytet, kundër devijimit të lumit Radika, për ndërtimin e hidrocentralit në Fushën e Lukovës. Thirrjet për protestë dhe ftesat për pjesëmarrje janë bërë publike përmes rrjeteve sociale.
“Nuk do të pranojmë të na hidhet hi syve, nuk do të pranojmë të mashtrohemi, nuk pranojmë të na marrin asnjë cm/kub ujë”,- u shprehën protestuesit.
Gazeta Shqip
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.