Bonot dominojnë tregun sekondar të letrave me vlerë. Individët kryejnë numrin më të madh të transaksioneve në tregun e letrave me vlerë.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare raporton se volumi i tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë gjatë vitit 2014 u dominua në masën 77.74% nga transaksionet në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe pjesa tjetër prej 22.26% ishin instrumente afatgjatë (obligacione).
Rriten transaksionet nga ndërmjetësit financiarë
Transaksioni i llojit B “Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” gjatë vitit 2014, ka pasur një rritje prej 1 miliardë e 973 milionë lekë ose 37.82% krahasuar me vitin 2013, ndërsa numri i transaksioneve është rritur në masën 7.82%. Transaksioni i llojit C “Blerje para afatit të maturimit” gjatë vitit 2014 ka pasur një rritje prej 454 milionë lekë ose 15.77% krahasuar me vitin 2013, ndërsa numri i transaksioneve është rritur në masën 5.67%. Krahasuar me vitin 2013, vihet re një rritje në vlerë absolute e totalit të transaksioneve të llojit B dhe C të marra së bashku me rreth 2,427 milionë lekë.
Sa i përket shitjeve nga portofoli i ndërmjetësit financiar peshën kryesore në treg e zë raiffeisen Bank me 77.4 % ndërkohë që bankat e tjera(BKT, Intesa, Fibank, Credins) kanë shumë më pak pjesë në tregun e shitjeve nga portofoli i ndërmjetësit financiar.
Përsa i takon numrit të transaksioneve, 98.35% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë, i takojnë transaksioneve të kryera me bono thesari. Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të letrave me vlerë të Qeverisë gjatë vitit 2014 flasin për një dominim të transaksioneve “Blerje në tregun primar” dhe “Shlyerje e vlerës nominale në maturim” përkatësisht me 61.87% dhe 19.95% kundrejt volumit të përgjithshëm.
Ecuria mujore e transaksionit “Shitje nga Portofoli i Ndërmjetësit Financiar” (mln lekë)
Pjesëmarrja në tregun sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë rreth 97.67% të të gjitha transaksioneve në këtë treg. Sa i përket blerjeve para afatit të maturimit Banka e Parë e Investimeve zë pjesën kryesore me 33.2 % e ndjekur nga Credins me 25.64 %.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.