Një raport i njësisë së kërkimeve të grupit bankar austriak Raiffeisen parashikon që raporti i kredive me probleme në tregjet e Europës Juglindore pritet të rritet me 7% deri në 10% brenda dy viteve në vazhdim.
Raporti i Raiffeisen Research për tregjet bankare të Europës Qendrore dhe Lindore thekson se deri tani rritja e kredive me probleme është mbajtur nën kontroll, falë moratoriumeve të vendosura, por edhe skemave të garancisë të ofruar nga qeveritë në mbështetje të sipërmarrjeve. Por, raporti parashikon që për 12 deri në 24 muajt e ardhshëm efekti i pandemisë do të bëhet i prekshëm.
Ky efekt pritet të jetë më i butë në Europën Qendrore, me një rritje të raportit të kredive me probleme nga 4% deri në 8%, ndërsa për Europën Juglindore goditja pritet të jetë më e fortë, me një përkeqësim të cilësisë së kredisë deri në 10 pikë përqindje. Megjithatë, raporti thekson se vala e dytë e COVID-19 që ka mbërthyer Europën mund të sjellë rreziqe të mëtejshme për bankat, sidomos në portofolin e individëve dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme.
Raporti i Raiffeisen Research vë gjithashtu në dukje se mjedisi post-Covid është karakterizuar nga norma edhe më të ulëta interesi, sidomos në tregjet jashtë Eurozonës. Kreditimi ka ruajtur ritme të kënaqshme, krahasuar me kriza të tjera në të shkuarën. Mbështetja e lartë e sektorit financiar me likuiditet dhe politikat publike mbështetëse kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim. Por, ai thekson se tërheqja e masave prudenciale dhe e stimulit fiscal duhet bëë në mënyrë shumë të kujdesshme dhe të koordinuar, për të shmangur një krizë të kreditimit dhe rreziqe sistemike.
Kriza mund të sjellë blerje oportuniste, grupi OTP më i mundshmi për t’u zgjeruar
Sipas analistëve, pasiguria në rritje mund t’i shtyjë bankat të rrisin komisionet dhe të kërkojnë të shesin më shumë produkte te klientët ekzistues, për të mbrojtur bazën e të ardhurave. Në këtë proces, përmasat e biznesit dhe ekonomitë e shkallës, por edhe zhvillimi i infrastrukturës dixhitale do të jenë faktorë të rëndësishëm.
Në përgjithësi, situata e pandemisë pritet të ndikojë ndjeshëm përfitueshmërinë e bankave. Trysnia e krizës mbi përfitueshmërinë e bankave mund t’i japë një shtysë të mëtejshme konsolidimit të sektorit bankar në këto tregje, megjithëse me ritme më të ngadalta se vitet e fundit.
Raiffeisen Reserch parashikon se gjatë dy viteve të ardhshme mund të ketë operacione shitblerjeje të natyrës oportuniste, ku blerësit mund të shfrytëzojnë rastin për të blerë më çmime të favorshme. Shumica e shitblerjeve në sektorin bankar shqiptar në pesë vitet e fundit kanë operacione të këtij lloji. Raiffeisen Research ka identifikuar grupin hungarez OTP, si një nga aktorët më të mundshëm potencialë për t’u zgjeruar më tej në Europën Juglindore. Në periudhën 2018-2019, OTP bleu pjesën më të madhe të filialeve të grupit Societe Generale në Europën Juglindore, përfshi atë në Shqipëri.
Megjithatë, raporti vlerëson se edhe në epokën e post-Covid grupet e huaja bankare do të qëndrojnë një mbështetje e rëndësishme strukturore për ekonomitë e Europës Qendrore dhe Juglindore (EQJL). Ky treg ofron një diversifikim të mirë të aseteve për grupet bankare të Europës Perëndimore, duke kontribuar për balancimin e rreziqeve në këtë periudhë të trazuar. Në këtë këndvshtrim, Raiffeisen Research vlerëson se tregjet e EQJL do të luajnë një rol stabilizues në portofolin e grupeve të rëndësishme me prani të zgjeruar në këto tregje, si Raiffiesen Bank International apo Erste Bank./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.