Rajon, Europa Lindore po i reziston nxitjes globale për të ulur normat e interesit

30/11/2019 10:00 PM 0 komente

Teksa Bankat Qendrore në botë po e lehtësojnë politikën monetare për të mbështetur rritjen dhe për të rigjallëruar inflacionin, sipas Bankave Qendrore në Europën Lindore, mundësia më e mirë tani për tani është që të mos bëjnë asgjë.

Sipas Bloomberg, katër shtete në Europën Lindore kanë marrë vendime të ndryshme, kështu për shembull çekët kanë rritur normat e interesit, Polonia dhe Rumania po i mbajnë ato në nivele të qëndrueshme, ndërsa Serbia i ka reduktuar.

Por edhe pse zgjerimi ekonomik i rajonit po ngadalësohet, ai ende e kapërcen rritjen në botën e zhvilluar dhe çmimet e konsumit po vazhdojnë të rriten. Pikërisht situata në fjalë i jep kohë mjaftueshëm në dispozicion, përcaktuesve të normës që të marrin vendimin e duhur. Polonia, e cila e ka mbajtur nivelin e saj në një rekord të ulët që prej vitit 2015, me siguri do të zgjasë pauzën, pasi inflacioni bazë u ngadalësua për muajin e dytë radhazi.

Kjo e forcon pikëpamjen e Guvernatorit të Bankës Qendrore, Adam Glapinski, se kostot e huazimit duhet të qëndrojnë në pritje për të parë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen e afërt. Sipas Piotr Kalisz dhe Cezary Chrapek, ekonomistë në njësinë polake Citigroup Inc., të dhënat më të fundit treguan aktivitet ekonomik më të ngadaltë sesa ai që pritej, duke sinjalizuar dobësim të rritjes në tremujorin e tretë. Banka Qendrore e Rumanisë, e cila për herë të fundit i ngriti normat e interesit në maj të 2018, pritet të mbajë objektivin të pandryshuar, teksa aktiviteti ekonomik parashikohet të ngadalësohet.

Banka Qendrore e Çekisë, e cila i ka rritur rreth tetë herë normat e interesit brenda dy viteve të fundit, po përpiqet të vlerësojë ndikimin e ngadalësimit të Eurozonës dhe nëse ajo ka me të vërtetë nevojë për rritje të tjera të normave të interesit.

Shpenzimet e larta familjare po e mbajnë inflacionin mbi objektivin, por industria prodhuese po përballet me një kërkesë më të dobësuar nga jashtë. Banka ka thënë se ajo po shqyrton rritjen e mundshme të normave të interesit gjatë këtij muaji, edhe pse sipas disa prej komenteve më të fundit sinjalizohet se kostot e huazimit kanë më shumë mundësi që të qëndrojnë në nivele të qëndrueshme.

Banka Qendrore e Serbisë do të vendosë në baraspeshë ngadalësimin e rritjes së çmimeve dhe një zgjerim ekonomik nën objektivin e caktuar ndaj risqeve të rrjedhjes së kapitalit kur të vendosë nëse do të zvogëlojë sërish kostot e huamarrjes, pas dy uljeve të befasishme gjatë këtij viti. Ndërsa politikëbërësit mund të zgjedhin të presin dhe të sigurohen nëse vendimi për lehtësimin e mëtejshëm monetar është ai i duhuri dhe kjo nuk do të çojë në dobësimin e dinarit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of