Ndërtimi i një ishulli të energjisë artificiale në Detin e Zi, do të ishte “opsioni optimal deri në vitin 2030” për ndërtimin e fermave të erës në det të hapur, në Rumani dhe Bullgari, tha në një studim firma Energy Policy Group (EPG), me qendër në Bukuresht.
Ishulli energjetik do të grumbullonte 3 GW në kapacitet energjie të erës në det të hapur nga të dyja vendet e Europës Lindore, propozoi studimi “Era në det të hapur – mundësuesi i dekarbonizimit të Rumanisë”.
Mundësia e ishullit energjetik do të ishte e përsosur, si nga pikëpamja e sigurisë së energjisë, ashtu edhe për sa u përket kostove, të cilat u vlerësuan në 8.4 miliardë euro (9.1 miliardë dollarë).
Koncepti i ishujve të energjisë artificiale për të ndërtuar ferma me erë në det të hapur dhe ndoshta për t’i ndërthurur ato me karakteristika të tjera energjetike, si prodhimi i hidrogjenit të gjelbër në vend, deri tani është ndjekur vetëm në Europën Veriore, ku Danimarka dhe Belgjika janë në një garë për të ndërtuar ishullin e parë energjetik të Detit të Veriut.
EPG-ja kishte nisur studimin e saj një vit më parë, duke mbledhur së bashku përfaqësues të Parlamentit rumun, me rregullatorin e energjisë (ANRE), operatorin e sistemit të transmetimit (Transelectrica), bizneset, shoqërinë civile dhe median.
Për të arritur objektivat e klimës në Rumani deri në mesin e shekullit, vendit do t’i duhet të ndërtojë 15 GW kapacitet të energjisë së erës në Detin e Zi, që do të përbënte më shumë se 40% të prodhimit të energjisë, tha EPG.
Për të instaluar 3GW deri në vitin 2030, vendi duhet të miratojë një ligj për detin, që përcakton kuadrin legjislativ të erës në det, gjithashtu të zhvillojë një plan të hapësirës detare që identifikon zonat më të mira për erën në det të hapur dhe të mbyllë një marrëveshje partneriteti me Bullgarinë, për bashkëpunim rajonal.
Firma think-tank, këshillon përdorimin e kontratave për diferencë (CfD), për të mbështetur fermat e erës në det të hapur me qëllim tërheqjen e investitorëve.