Metodologjia e re e zgjerimit të BE-së synon të forcojë lidhjet me vendet nga Ballkani Perëndimor, veçanërisht me ato që kanë filluar bisedimet e anëtarësimit, tha Komisioneri Europian i Zgjerimit, Oliver Várhelyi, në Beograd, gjatë javës së kaluar, raporton EURACTIV Serbia.
“Unë dua ta përmirësoj këtë proces, në mënyrë që të paktën një vend nga rajoni të jetë i gatshëm për anëtarësim deri në fund të mandatit tim, që është njëkohësisht edhe qëllimi që unë i kam vendosur vetes. Ky është misioni im për katër vite e gjysmë në vazhdim dhe shpresoj se do të arrij një partneritet të plotë me Serbinë”, tha z. Várhelyi pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç. Në një konferencë të përbashkët shtypi me z. Vuçiç, z. Várhelyi përsëriti se metodologjia e BE-së për anëtarësim bazuar në katër parime (besueshmëria, parashikueshmëria, dinamika dhe udhëheqësit politikë) ishte shtylla e parë e strategjisë së Komisionit Europian.
Elementi i dytë i planit është hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë përpara zhvillimit të samitit BE-Ballkan Perëndimor, që do të mbahet në Zagreb gjatë muajit maj, ndërsa i treti përbëhet nga një strategji e re për zhvillimin ekonomik dhe investimet në të gjithë Ballkanin Perëndimor, “së cilës ne duam t’i japim një rëndësi të veçantë” në samitin e Zagrebit, tha z. Varhelyi.
Përpara konferencës për shtyp, z.Varhelyi dhe ministrja serbe e Integrimit Europian, Jadranka Joksimoviç, nënshkruan një marrëveshje financiare IPA 2019. Grupet politike në Parlamentin Europian e kanë mirëpritur strategjinë e re të Komisionit, megjithëse përfshirja e premtuar e ekspertëve nga shtetet anëtare shqetësoi Të Gjelbrit, të cilët i druhen politizimit të mëtejshëm të bisedimeve të pranimit.
“Unë mendoj se nuk është në interesin tonë të kemi një proces më të politizuar”, tha Viola von Cramon-Taubadel (Greens-EFA / DE), por në përgjithësi ishte e kënaqur me propozimet. Të tjerëve u pëlqeu rritja e rolit të vendeve anëtare. “Është mirë të kemi mekanizma për t’i bërë shtetet anëtare pjesë e negociatave me ekspertët e tyre, t’i angazhojnë ata më shumë në këtë proces dhe jo t’i mbajnë ato vetëm në zyrat e Brukselit”, tha eurodeputeti Michael Gahler.