Ndërsa Zoran Zaev paraqet vizionin e tij për prosperitet dhe integrim të Rajonit të Ballkanit, ekziston një rrezik i madh, shkruan Andrea Dudik për Bloomberg News.
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut shpreson që anëtarësimi i afërt i vendit të tij në NATO do të jetë pjesë e një procesi më të gjerë që do ta vendoste rajonin në Bashkimin Europian, si dhe themelet për zhvillimin e tij ekonomik në dekadën e ardhshme. Por një revoltë e mundshme e nacionalistëve në zgjedhjet parlamentare të majit të BE-së mund ta pengonte realizimin e këtij qëllimi.
Z. Zaev tha se integrimi mund të ndikojë në rritjen e standardeve të jetesës për pjesën më të varfër të popullsisë së Europës, si dhe të frenojë numrin e lartë të emigrantëve, sidomos të rinjve të talentuar drejt shteteve perëndimore.
Megjithatë, po e njëjta ndjenjë nacionaliste që shkaktoi vrasjet më të përgjakshme të Europës pas Luftës së Dytë Botërore është sërish pengesa më e madhe në këtë drejtim dhe ajo që po shkakton ndarje të mëdha në popull.
Politikanët nacionalistë kanë ndikim të madh në Ballkanin Perëndimor. Në Bosnjë-Hercegovinë, lideri i pakicës serbe, Milorad Dodik, është shfaqur si një prej politikanëve më të fuqishëm. “Shpresoj se politikanët do të jenë më në favor të shteteve të tyre dhe të shoqërisë së përbashkët europiane sesa të partive të tyre, sepse kjo është e ardhmja e botës”, tha më tej z. Zaev.
Ai thotë se për shtetin e tij prej 2 milionë banorësh, anëtarësimi në NATO do të ndikojnë në rritjen e ekonomisë, duke lënë pas skandalet e korrupsionit të vitit 2017 që e sollën atë në pushtet. Z. Zaev dhe homologu i tij grek, Alexis Tsipras, ranë dakord vitin e kaluar për të ndryshuar emrin e Maqedonisë në Maqedonia e Veriut. Kjo për z. Zaev është edhe një lëvizje që Greqia të mos kundërshtojë më anëtarësimin e fqinjit të saj (Maqedonisë së Veriut) në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior dhe në BE. Së fundmi, Kancelarja gjermane Angela Merkel i vlerësoi të dy guvernatorët për arritjen e këtij kompromisi.
“Kisha humbur shpresat nëse kjo gjë mund të realizohej”, tha ajo në një mbledhje të zyrtarëve të lartë të mbrojtjes dhe politikës së jashtme në Mynih. “Nëse kemi kurajën ne mund të gjejmë zgjidhjen për cilindo prej konflikteve që vazhdojnë prej kohësh”, tha në fund Kancelarja Merkel.
Z. Zaev shpreson se anëtarësimi në NATO do të ndikojë edhe në rritjen e investimeve të huaja. Sipas tij, investimet do të shkojnë deri në 340 milionë dollarë në vit, në krahasim me vlerën prej 240 milionë dollarësh të gjeneruar në vitin 2017. Një gjë që për të nuk përbën shqetësim është ndryshimi i mundshëm i lidershipit grek në zgjedhjet e këtij viti.
Lideri i partisë opozitare greke, Demokracia e Re, Kyriakos Mitsotakis, tha muajin e kaluar se Greqia do të vazhdojë të ketë në çdo kohë të drejtën e vetos mbi fqinjin e saj në drejtim të bashkimit apo jo me BE-në. Por z. Zaev u shpreh se retorika e z. Mitsotakis do të ndryshojë padyshim kur ai të vijë në pushtet.