Monedhat kryesore të shteteve të Europës Qendrore do të forcohen kundrejt euros gjatë 12 muajve të ardhshëm, por kjo do të varet kryesisht nga qëndrueshmëria e tregjeve globale dhe shpërndarja e lehtësimit të pritshëm monetar në Eurozonë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zbuloi një sondazh i ri i kryer nga Reuters.
Korona çeke, zloti polak dhe forinta hungareze të gjitha u dobësuan në gusht, duke humbur nga 0.9-2.0% të vlerës së tyre ndaj euros, si pasojë e frikës së përshkallëzimit të luftës tregtare ndërmjet Amerikës dhe Kinës, dhe çrregullimit që mund të shkaktonte dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja.
Sidoqoftë, shumë analistë parashikojnë se trazirat që kanë përfshirë tregjet globale do të qetësohen në 12 muajt e ardhshëm. “Unë besoj se disa nga rreziqet kryesore do të zgjidhen gjatë vitit të ardhshëm, u shpreh Radomir Jac, Kryeekonomist në Generali Investments (MI: GASI) në EQL, duke përmendur si shkaktarë kryesorë të situatës tensionet globale të tregtisë dhe Brexit.
“Prandaj, besoj se korona, zloti dhe forinta kanë potencial për t’u forcuar në 12 muajt e ardhshëm. Këtu e kam fjalën për një forcim nga nivelet mjaft të dobëta që u arritën në fund të muajit gusht dhe fillimit të shtatorit”, vazhdoi ai më tej. Sipas 4 sondazheve të kryera nga 31 analistë, korona çeke parashikohet të forcohet me 2% kundrejt euros vitin e ardhshëm, ndërsa forinta hungareze pritet të rritet me 4% dhe zloti polak me 1.5%.
“Forcimi në rastin e të tre monedhave të mësipërme lidhet edhe me pritshmëritë për lehtësimin e politikës monetare, si në Eurozonë, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Krystian Jaworski, ekonomist i lartë në Credit Agricole (PA CAGR) CIB.
Gjatë javës së kaluar, Reuters publikoi se politikëbërësit e Bankës Qendrore Europiane janë pranë miratimit të një pakete të lehtësimit monetar, e cila do të përfshijë ulje të normës së interesit, por jo vetëm momentalisht, por për t’i mbajtur ato në nivele të ulëta në një periudhë afatgjatë. Teksa Rezerva Federale është e pavendosur nëse një ulje e normave të interesit është vërtet e domosdoshme në ekonominë më të madhe të botës, tregjet presin një ulje të kostos së huamarrjes në shtator.
Lei rumun (EURRON =) parashikohet të dobësohet me 1.6% gjatë vitit të ardhshëm kundrejt euros, kryesisht si pasojë e buxhetit të dobët dhe deficiteve të larta në llogarinë korrente. “Fatkeqësisht ne nuk parashikojmë asnjë përmirësim të deficitit dyshifror të Rumanisë”, u shpreh Ciprian Dascalu, Kryekonomist, në ING. Sipas këtyre sondazheve edhe dinari serb (EURRSD =) parashikohet të dobësohet me 0.3% vitin e ardhshëm.