Qeveria shqiptare po shikon mundësinë për të ndërtuar një aeroport rajonal në qytetin e Vlorës. Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët me drejtorin e kompanisë ajrore “Turkish Airlines”, tha se ky përbën një objektiv për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe nxitjen e mëtejshme të turizmit.
“Edhe për Shqipërinë do të vijë momenti ku do shprehim vullnetin për të realizuar këtë projekt, që kërkojnë kohën e tyre, projekte që po shkojnë drejt finalizimit. Aeroporti i Vlorës do të jetë një vlerë e shtuar.”
Kryeministri Rama foli edhe për vështirësitë në hyrjen e kompanive me kosto të ulët në vend.
“Jemi të vetëdijshëm për shkak të pengesave të shkuara, trashëguam një kontratë koncesionare problematike. Pavarësisht rinegocimeve për Aeroportin e Rinasit, me të drejtë pasagjerët janë të palumtur me çmimet që rrjedhin nga kjo kontratë. Sigurisht nga kjo kontratë, hyrja e kompanive low cost ka qenë më e vështirë se ç’duhet të ishte. Me aeroportin e ri të Vlorës dhe me aeroportin e Sarandës, edhe në këtë rrafsh do kemi normalizim” tha Rama.
Kukësi, aeroporti i ndërtuar por që nuk po vihet në funksionim
Edhe pas miratimit të marrëveshjes me koncesionarin e Rinasit, nuk ka ende asnjë lajm se çfarë po ndodh me aeroportin e Kukësit. Sot ky aeroport ka terminalin e pasagjerëve, kullën e drejtimit, pistën për uljet e avionëve, vendqëndrimin për 7 të tillë, sistemin e ndriçimit, vendparkimin e mjeteve dhe rrethimin me një perimetër prej 5 mijë metrash.
Çdo vonesë në fillimin e fluturimeve penalizon qytetarët shqiptarë, të cilët do të vijojnë të paguajnë biletat e shtrenjta të Rinasit dhe për disa vite më shumë, pa pasur mundësi të kenë një alternativë tjetër.
Marrëveshja e rishikuar parashikon që:
“Koncesioni jepet për një afat prej 22 (njëzet e dy) vitesh duke filluar nga data e fillimit (“Afati i koncesionit”). Në rast se ndonjë aeroport apo aeroporte, përveç Aeroportit të Kukësit, fillon operimin për fluturime tregtare (që për këtë qëllim do të thotë data në të cilën kryhet fluturimi i parë tregtar) në Republikën e Shqipërisë përpara datës 23 prill 2025 (“Operimi i një aeroporti të ri tregtar”), afati i koncesionit do të zgjatet si më poshtë (zgjatja e afatit të koncesionit nuk do të tejkalojë limitin maksimal prej 4.5 (katër pikë pesë) vitesh në total).”
Ndryshimet ku koncesionari duhet të përfitojë zgjatjen e ekskluzivitetit të tij në një zonë me radiacion prej 100 km² do të ndodhin për një aeroport të dytë apo të tretë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.