Rama: Afro 300 mijë qytetarë kanë përfituar pagë ndihmë; Vaksinimi anti-covid fillon në janar

29/12/2020 10:31 AM 0 komente

Gati 300 mijë qytetarë kanë përfituar pagë lufte nga paketat e ndihmës të ofruara gjatë pandemisë, deklaroi kryeministri Edi Rama në konferencën e fundvidit. Kreu i qeverisë shtoi se ndihma e ofruar për biznesin e vogël, e bën Shqipërinë të parin në rajon duke zeruar taksën për këtë kategori.

“Afro 300 mijë qytetarë që kanë përfituar direkt pagë lufte nga paketa e parë apo nga paketa e dytë e ndihmës.

Ndërkohë, ndihma direkte për biznesin e vogël është konkretizuar nga një hap kurajoz dhe progresist, jo vetëm për këtë fazë, por në afat të gjatë duke hequr taksën për biznesin e vogël dhe duke e bërë të vetmin vend në rajon, se me Europën nuk krahasohemi se aty janë taksat shumë të larta.

Ne kemi zero takse mbi fitimin për biznesin e vogël dhe zero TVSH për bizneset e vogla me një xhiro deri në 100 mijë dollarë në vit”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se qeveria ka dyfishuar pagesën e papunësisë për të gjithë qytetarët që u prekën nga pasojat e mbylljes për shkak të koronavirusit.

“Falë garancisë sovrane kanë përfituar 53 mijë punonjës. Një tjetër e dhënë domethënëse që i referohet regjistrit të të punësuarve, jo anketimeve, është që në Shqipëri, zyrtarisht në momentin e goditjes së madhe, mars-qershor rezultuan të papunë menjëherë 33 mijë persona dhe sot janë më shumë se 20 mijë prej tyre që janë rikthyer në vendin e punës. Ne kemi një program për nxitjen dhe mbështetjen për kthimin në punë të pjesës së mbetur. Kemi dyfishuar pagesën e papunësisë ndihmën ekonomike dhe do e mbajmë në fuqi dhe gjatë vitit të ardhshëm deri në fund të luftës me koronavirusin për të gjithë personat me ndihmë financiare. Kemi fshirë kamatvonesat e energjisë elektrike. Vetëm në mars-qershor, po t’i marrim të gjithë instrumentët me 415 milionë dollarë me ndihmë direkte futemi në vendet që kanë dhënë ndihmë të konsiderueshme.

Kur do të fillojë vaksinimi anti-covid?

Një tjetër pikë të rëndësishme ku u ndal kryeministri Rama, ishte vaksinimi anti-covid, i cili sipas tij do të fillojë në muajin Janar.

“Jemi në përpjekje për të marrë vaksinën, më vjen keq kur dëgjoj lloj lloj teorish, sepse situata e përgjithshme është shumë domethënëse sa i përket një ngërçi të përgjithshëm në raport mes kërkesës dhe ofertës, mbani parasysh një shifër se mbase ndihmon për të kuptuar panoramën. Italia, e cila ka nisur vaksinimin 2- 3 ditë më parë ka në dispozicon 9700 vaksina, kjo ka qenë partia e parë e dozave që ka marrë Italia, vend i BE-së, me një popullsi të konsiderueshme ka nisur vaksinimin me 9700 doza.

Ne ndërkohë, çka ka ndodhur në nivelin europian është se paketa e parë e dozave të disponueshme është ndarë në një mënyrë apo një tjetër mes vendeve të BE-së dhe iu është lënë vendeve që të negociojnë me vende, palë të tjera për të ndarë nga paketa e tyre. Por marrëveshja është e lidhur me shtetet me të cilat Pfizer ka vendosur vijat e para të komunikimit dhe kur them shtet kam parasysh BE si një entitet i tërë, dhe duhet të keni parasysh që dhe SHBA ka një ndalesë me një akt të presidentit të SHBA që asnjë dozë nuk mund të dalë nga SHBA dhe ky ngërc i takon vetëm fazës së parë, fillimit se prodhimi do të rritet në fazë eksponenciale.

Ne jemi të bindur që do të fillojmë vaksinimin pa pritur që të kalojë ky ngërç, do e fillojmë brenda janarit dhe kam tendecë të besoj që ne mes të janarit do jemi në gjendje të fillojmë vaksinimin me mjekë e infermierë dhe më pas në grupet e tjera vunerabël, mësues, punonjës policie dhe më të mëshuarit, jemi në diskutime dhe me Moderna-n dhe AstraZeneca dhe besoj që shumë shpejt do finalizojmë marrëveshjen me Pfizer dhe kjo është arsyeja se përse kjo mbetet në këtë fazë një punë intesive diplomatike dhe komunikimi në të katërta anët. Nuk ekziston asnjë mundësi për të bërë kontrata direkte të palidhura me strategjinë e përgjithshme dhe ata që kanë akses kanë hyrë në kornizën e strategjisë së përgjithshme, jemi shumë pranë të një marrëveshje të shkruar që kemi filluar që nga takimi ne Nju York”, tha Rama.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of