Rama: Amnisti kapitali për gjithë shqiptarët, përjashtohen paratë e drogës e të gjykatësve e prokurorëve

29/02/2020 2:31 PM 0 komente

Kryeministri Edi Rama, në kongresin e sotëm të socialistëve, ka deklaruar planin madhor për të kryer një amnisti kapitali, duke pasur në fokus emigrantët, por duke përjashtuar këtu paratë e drogës, krimit si dhe ato të gjykatësve e prokurorëve.

“Ne do të lançojmë një amnisti të përgjithshme për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit që të gjitha paratë, asetet t’i deklarojnë. Paratë t’i fusin në banka dhe asetet t’i deklarojnë. Dhe jo një apo dy organizata të ngrihen por bota mbarë të thotë kjo nuk bëhet do bëhet. Emigrantët shqiptarë nuk mundet të rrinë më, të mbajnë para me një mijë e një vështirësi dhe as nuk mund të torturohen t’i çojnë këtu se fillon pastrimi i parave.

Të gjithë ata që nuk i kanë paratë me drogë, terrorizëm, prostitucion, me ato që parashikohen tek krimi special, ose të gjithë ata që janë politikanë, gjykatës, prokurorë, këta nuk mund të amnistohen. Do japin llogari, nga unë i pari, herët apo vonë do japim llogari për çdo gjë që kemi, si e kemi, ku e kemi. Aty nuk ka më socialist apo demokrat. O me punën o tek vendi. Kurse të tjerët me një afat kohor kanë mundësi t’i sjellin paratë këtu”, tha Rama.

“Besoj se kjo do na japë mundësinë të shtyjmë ekonominë edhe më shumë”.

Kryeministri tha se duhet të maksmimalizojnë energjinë. “Mos të merremi as me lidhjen as me zgjidhjen, po zgjidhja ku më doli. Me ekonominë, me punën”.

Deri tani Shqipëria ka realizuar disa herë amnisti fiskale për bizneset, por një amnisti e plotë kapitali nuk është kryer.

Rama tha dhe se nga janari 2021 paga minimale do të bëhet 30 mijë lekë, nga 26 mijë lekë që është sot.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of