Rama “çliron” tenderët, shfuqizon pezullimin që miratoi në kohën e qeverisë teknike

13/10/2017 6:22 PM 0 komente

Pak kohë para zgjedhjeve të qershorit institucionet në vend rënduan dorën e tenderave madje disa prej tyre vendosën të prokuronin edhe vlera disa milionë dollar. Një situatë  e tillë u komplikua edhe më shumë me qeverinë teknike të marrëveshjes së 18 majit me ministrat e opozitës në kabinet.

Për t’i dalë para një “shthurjeje” financiare që mund të përkeqësohej gjatë muajve të verës kur në qeveri ishte PS-PD- LSI, u miratua në 5 korrik 2017, një vendim i veçantë që bllokoi të gjitha procedurat e prokurimit për vitin aktual.

Situata vijoi kështu deri më sot (13 tetor) kur qeveria me një vendim të veçantë ka shfuqizuar atë të korrikut duke i hapur rrugë kështu institucioneve që të vazhdojnë me procedurat normale të prokurimit. Kjo vjen në kushtet kur tashme kemi ministrat e rinj në qeverinë Rama 2 dhe në institucionet kyçe të varësisë janë bërë emërimet e drejtuesve, edhe pse jo tek të gjitha ka ndryshime.

Më herët për një procedurë prokurimi institucioni që ishte i interesuar për të blerë një mall ose shërbim duhet që të merrte autorizimin përkatës . “Me kërkesë të argumentuar të titullarit të autoritetit kontraktor, për raste të veçanta dhe të nevojave urgjente, me miratimin e Kryeministrit, mund të lejohet vijimi i një procedure prokurimi” sanksionohej në vendim

Nga ana tjetër nga pezullimi përjashtoheshin kontratat e nënshkruara para hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe prokurimet për blerjet me vlerë të vogël.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of