Para nisjes drejt Berlinit ku do të marrë pjesë në samitin që do të zhvillohet më 28 gusht kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe ai i Zhvillimit Ekonomik Arbeh Ahmetaj tha se synimi është një qasje e re ndaj rajonit dhe gjithë vendeve në rajon që janë në rrugën e integrimit të bëhet e mundur në funksion të një marrëdhënie të re mes BE dhe Ballkanit.
“Praktikisht synimi ynë është që një qasje e re ndaj rajonit dhe gjithe vendeve në rajon që janë në rrugën e integrimit të bëhet e mundur në funksion të një marrëdhënie të re mes BE dhe Ballkanit. Kjo qasje e re s’mund të jetë një planëshe po duhet të jetë disaplanëshe. Për këtë arsye ne e kemi konceptuar dokumentin tonë të bazuar pikërisht në ato shtylla të vendosura si shtylla bazë të diskutimit të konferencës. Mbetet me rëndësi të veçantë, themeli i kësaj konference që lidhet me një politikë të re që ka nisur në rajon në shtysën e fortë të paqes dhe mbi faktin se ky është viti i parë që rajoni në historinë e vet jeton pa konflikte në kufijtë mes vendeve.
Mbi këtë themel duhet ndërtuar një marrëdhënie e re në funksion të rritjes së financimeve për rajonin. Është e qartë që kriza finaciare e ka goditur rajonin dhe përgjithësisht burimet financiare janë vënë në funksion të ndaljes së krizës dhe të administrimit të një faze të ekonomisë që pa burime alternative të forta vështirë se mund të imagjinohet me një rritje të qëndrueshme dhe të lartë dekadën që vjen. Kjo do të thotë që rajoni të mbetet jashtë gjithë rrugës së zhvillimit europian dhe do të thotë se rruga e integrimit për secilin nga vendet të vështirësohet. Pa llogaritur këtu dhe efektet që mund të ketë kundëreagimi i brendshëm në terësi në rajon si pasojë e mungesës së shpejtësisë në procesin e integrimit, e diktuar edhe nga gjendja aktuale e Europës së bashkuar sot” tha Rama në një konferencë për shtyp nga aeroporti Nënë Tereza.
Kryeministri sqaroi dhe planin strategjik dhe pikat ku do të mbështetet diskutimi i tij, e për të cilat mori dakordësinë e homologëve një ditë më parë në Dubrovnik. Por dhe pse pritej një sqarimin për mungesën e përfaqësuesve të Serbisë, Rama u mjaftua me faktin se projekti “Korridori i Kaltër” ka tashmë bekimin e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Kroacisë dhe Bosnjes.
“Jemi në një moment shumë të rëndësishëm për nga potenciali që kjo kohë ka dhe për faktin që ka një dakordësi në rajon gjë që sigurisht përbën një shtysë të fortë nga ana e palës tjetër për t’iu afruar rajonit në një tentativë të re për të çuar në një fazë të re ekonominë dhe jetën sociale të gjithë rajonit dhe të bëjmë të mundur që gjithë problematika objektive e procesit të integrimit për secilin nga vendet të kundërbalancohet me një proces të fuqishëm rajonal dhe zhvillimi e bashkëpunimi ekonomik në gjithë rajonin.
Në këtë funksion ne kemi propozuar të shkojmë më tutje sesa kuadri i investimeve në Ballkanin Perëdimor në një strukturë në të cilën mund të ngrihet një mekanizmëm më i fortë qeverisës.Janë katër zona ku do të kalojë diskutimi bazuar sipas nesh në një strukturë që do të shkojë nga infrastruktura rajonale ku ne kemi ndërtuar një bllok që përfshin Kosovën, Malin e Zi, Kroacinë dhe Bosnjen për të mbështetur projektin e madh të “Korridorit të Kaltër” që siguron lidhjen me “Unazën e turizmit Mesdheut”, por dhe një aks strategjik për shkëmbimin intensiv jo vetëm të njerëzve por dhe të mallrave në funksion të një rritje të qëndrueshme ekonomike.
Besojmë shumë që ky projekt është mbështetur në argumenta të fortë dhe është në një fazë të avancuar për sa i përket pëlqyeshmërisë, besueshmërisë dhe mundësisë për të qenë i mbështetur. Së dyti infrastrukturën hekurudhore rajonale që kemi shpjeguar se ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për rajonin, por edhe Europën. Së treti qëndra për parqet logjistike dhe portet multimodale. Së katërti një shtysë shumë të fortë për të mbyllur apo ngushtuar hendekun e madh mes rajonit dhe pjesës tjetër të Europës në pikëpamje të teknologjisë dixhitale dhe aksesit në teknologjik të shoqërive të rajonit”.
Një fokus të veçantë në diskutimet në Berlin do të ketë dhe sektori i energjisë, për të parë mundësinë drejt krijimit të një tregu të integruar BE-Ballkan.
“Shtylla e dytë është energjia, siguria dhe infrastruktura energjike. E fillojmë nga një pozicion i fortë si rajon për shkak të përfshirjes në projektin TAP, por mbetet për të insistuar që të nxisim investimet që garantojnë të gjithë ndërlidhshmërinë brenda përbrenda rajonit për të garantuar edhe përfshirjen jo vetëm të rajonit, por të BE dhe rajonit në një rrjet të integruar të energjisë që do kishte jo pak influencë në stabilitetin energjitik të gjithë kontinentit tonë.Së treti do argumentojmë domosdoshmërinë për të siguruar në afat të mesëm dhe të gjatë financime për të mbështetur sipërmarrjen, por për ne një rëndësi të veçantë ka për rritjen e arsimit profesional bazuar në modelin gjerman.Së fundmi, turizmi si një sektor vibrant shërbimesh dhe strategjik për ekonominë e pjesës më të madhe të rajonit po me influencë në gjithë rajonin është një shtyllë e rëndësishme e diskutimeve ku pa dyshim dhe ne do të themi fjalën tone”.
Sipas tij dokumenti që është hartuar do t’i paraqet BE-së palës gjermane dhe Komisionit të Europës. “Kjo është pjesë e një procesi që nis me Berlinin dhe do të vazhdojë vit pas viti për të çuar më tej rajonin në një fazë të re”, tha Rama.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.