Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama së bashku me homologun e Kosovës Albin Kurti zhvilluan një takim me përfaqësuesit e biznesit, ku në fokus u diskutua lehtësimi i procedurave doganore dhe heqja e të gjitha barrierave tarifore për të nxitur zhvillimin e ekonomisë dhe eksporteve në mes dy vendeve.
Kryeministri Rama deklaroi se është punuar intensivisht nga të dyja administratat për të kontrolluar zbatimin e marrëveshjeve të bëra në këto vite.
“Është punuar intensivisht nga të dyja administratat për ta skanuar të gjithë problematikën e zbatimit të marrëveshjeve të bëra në këto vite dhe njëkohësisht për çështjen e funksionalitetit të trazimitimt të zyrës doganore të Kosovës në Durrës. Dhe këto akte sigurojnë dhe garantojnë një zbatim 100% të regjimit të tranzitimit me një reduktim kostoje të konsiderueshme për bizneset e Kosovës që tranzitojnë përmes Shqipërisë.
Besoj që marrëveshja për lehtësimin e tregtisë mes palëve do të bëjë lehtësimin e të gjithë procesit në doganë për hyrje-daljen e mallrave. Mallrat, fruta-perime do të kenë lehtësim drastik të procedurave të eksportit bazuar në njohjen reciproke të certifikatave fitosanitare dhe faktikisht do të realizojmë atë që është kërkesa legjitime të çdo eksportuesi të këtyre mallrave delikate që nga pika A në pikën B të mos këtë dyshin kontrolle, pritje etj.
Po ashtu njohja reciproke e licencave të agjencive doganore dhe regjistrimi i tyre pranë autoriteteve kompetente doganore, në mënyrë që kryerja e veprimit të deklarimit të tranzitit në territorin e njërës Republikë apo tjetrës të jetë një procedurë e unifikuar.
Për barrierat tarifore në jemi të vetëdijshëm që është bërë progres, po ka akoma problematika që ndikojnë shumë në prodhimin e produkteve për eksport, duke e dekurajuar shumë shfrytëzimin e potencialeve. Skanimi është një problem i madh, por në këtë rast kemi një skanim të dyfishtë. Administrata doganore është reflektuar në shërbimin elektronikë, ulja e kontrollit doganor në skanim nga 100% në 10%”, deklaroi kryeministri Rama.
Nga ana tjetër kryeministri i Kosovës ka se është me rëndësi që të hiqen të gjitha barrierat dhe të ketë një mbështetje më të lartë në fushën e inovacionit.
“Tani është koha që dy shtetet të bëjnë më shumë, të kemi zotime për heqjen e të gjitha barrierave jo tarifore. Është thelbësore të mundësojmë lëvizjen e lirë të punëtorëve. Ne jemi zotuar që të gjitha barrierat do të hiqen për punëtorët që vijnë nga Shqipëria”.
Qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës mbajtën sot takimin e shtatë në qytetin e Elbasanit, ku u firmosën 15 marrëveshje. https://www.monitor.al/perfundon-mbledhja-e-dy-qeverive-te-gjitha-marreveshjet-e-firmosura-mes-shqiperise-dhe-kosoves/
Biznesi kërkon monitorimin e zbatimit të marrëveshjeve
Ines Muçostepa, kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë tha për Monitor se sot të dyja palët e bizneseve shprehën të njëjtat problematika.
Ajo shton se ka rëndësi që të realizohet njohja e certifikatave veterinarie e fitosanitare dhe të eliminohen kontrollet e dyfishta për produkte, skanimet e dyfishta, të ulen kostot administrative, të njehsohen procedurat administrative. Ajo vlerëson si shumë të rëndësishme marrëveshjen që lehtëson lejet e qëndrimit, lejet e punës dhe njohjen, në mënyrë që të krijohet tregu i përbashkët i punës.
Bizneset shqiptare bënë ndërkohë edhe propozime konkrete mbi shfrytëzimin e potencialeve që dy vendet tona ofrojnë, si ekonomi komplementare.
Ajo shton se duhet të monitorohen zbatimi i marrëveshjeve, që ato të mos mbeten vetëm në letër.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.