Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me eksportuesit e mëdhenj në vend, ku u ndal edhe tek zhvillimet kryesore ekonomike. Sipas tij aksioni i anti-informalitetit është në një fazë të re.
“Për ne është themelore që të shfrytëzojmë çdo mundësi dhe të identifikojmë çdo rrugë për të mbështetur prodhimin industrial dhe prodhimin për eksport, pasi jemi të bindur se kjo është një kolonë shumë e rëndësishme për të ndërtuar Shqipërinë që duam. Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë tuaja, dhe kjo e rrit edhe më shumë përgjegjësinë tonë, pasi një sërë çmimesh në tregjet ndërkombëtare kanë shënuar rënie të ndjeshme, dhe jo vetëm sektori i lëndëve minerare dhe djegëse. Nga ana tjetër ne jemi të inkurajuar nga shifrat e tjera, që flasin për rritjen e eksporteve me 5.2 në 2015, krahasuar me një vit më parë. Kjo është një e dhënë domethënëse që flet për rimëkëmbjen e vazhdueshme dhe të qëndrueshme të ekonomisë, por edhe për një potencial të madh. Ne jemi të vendosur për të mbështetur industrinë. Jemi të vetëdijshëm se ka ende shumë mundësi për produktet ushqimore. Produktet e bulmetit janë rritur ndjeshëm me 582 %, po kështu prodhimet e tjera bujqësore, fruta dhe perime me 133 %, krahasuar me një vit më parë. Shqipëria hyn ndër vendet me eksporte të rritura, dhe ka eksportet më të larta në rajon. Edhe eksportet me Kosovën janë më të larta se asnjëherë, dhe janë rritur vit pas viti”, tha kryeministri Rama.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.