Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka folur për rritjen e fortë të çmimeve, me të cilën po përballen qytetarët ditët e fundit.
Ai e bëri të qartë se kjo situatë ka ardhur nga kriza globale dhe që qeveria nuk ka në plan të ndërhyjë. Ai paralajmëroi se duhet të përgatitemi për disa skenarë, pasi nuk dihet si do të shkojë situata.
“Dua ta theksoj shumë qartë, që çmimi i naftës nuk varet nga qeveria. Nuk është qeveria në tregun e lirë në një vend qe e ka zgjehur prej 32 vitesh tashmë, është tregu. Tregu është super i ndjeshëm. Europa ka hyrë në luftë. Ushtarakisht lufta zhvillohet mes një agresori dhe një vend nën agresion, ndërsa në të gjitha aspektet e tjera lufta zhvillohet mes të gjitha vendeve që zhvillojnë agresionin”.
Rama shtoi se duhet të jemi të vetëdijshëm që në luftë nuk ka mundësi për të kërkuar të njëjtat gjëra dhe se duhet të përgatitemi për çdo skenar. “Askush nuk e di sa do të zgjasë kjo luftë. Jemi në të njëjtat kushte të të panjohurës siç ishim me luftën tjetër, me pandeminë, ku nuk e dinim kohëzgjatjen. E njëjta gjë është sot. Përgatitemi për disa skenarë. Për këtë arsye kemi vendosur të ngremë komitetin special dhe jemi ulur qysh në ditën e parë për të përgatitur skenarët e mundshëm, nga më të thjeshtët te më të vështirët”, deklaroi Rama.
Çmimet e naftës në vend shënuan një rritje galopante ditët e fundit, duke arritur rekordin historic prej230 lekësh, nga rreth 170 lekë që ishte mesatarja e vitit 2021. Rritje kanë shënuar dhe çmimet e mallrave të tjera, ku buka po tregtohet me 120 lekë, nga 90 lekë më parë.
E gjithë bota është përfshirë nga rritja e çmimeve për shkak të çrregullimeve me furnizim që ka shkaktuar sulmi I Rusisë ndaj Ukrainës. Teksa të dy shtetet janë faktorë të rëndësishëm, Rusia për naftën e gazin dhe Ukraina për drthërat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.