Kryeministri Edi Rama, në një komunikim për mediat, bëri një përmbledhje të situatës epidemiologjike në vend dhe masave që do të merren në mbështetje të të infektuarave. Rama tha se së shpejti do të jetë gati një paketë e re mbështetëse për të rimbursuar barnat kryesore për të sëmurët me Covid-19 dhe për të mbështetur familjet me ndihmë ekonomike.
“Ne po e shohim në dinamikë se sa do të jetë infektueshmëria. Dhe për këtë ne kemi gati dhe një paketë tjetër në mbështetje të të sëmurëve për barnat esenciale dhe për të mbështetur familjet me ndihmë ekonomike, pasi gjërat mund të zhvillohen në drejtime të ndryshme. Nuk kemi marrë masa shtrënguese, si në vendet e tjera, pasi ne nuk duam ta mbyllim ekonominë. Mendojmë se ka mundësi të mbahet një ekuilibër dhe ju bëj thirrje të gjithëve të kryejnë detyrat e tyre. Atyre që janë në ndihmë ekonomike deri në fund të pandemisë, do t’i bëjmë një shtesë të mbështetjes financiare”.
Rama tha se qeveria ka një strategji për të përballuar situatën dhe se shteti është angazhuar financiarisht edhe për sigurimin e vaksinës.
“Në buxhetin e ardhshëm 9,4% e buxhetit shkon për shëndetësinë dhe është më i larti në këto 30 vjet. Pjesë e këtij është edhe rritja e pagave 40% për 18 mijë personel mjekësor. Është një paketë e tërë specifike 15 milionë euro e siguruara nga Banka Botërore dhe 1,7 miliardë lekë për barnat dhe oksigjenin, 1 miliard lekë për bonusin e mjekëve, i cili vijon të jepet. Mjekët tanë do të çojnë pagë në shtëpi, më shumë sesa do të punonin në Gjermani. 650 milionë lekë janë për punonjësit jashtë sistemit që do të duhet për mjekët dhe infermierët në rezervë. Ata janë me emër dhe mbiemër të regjistruar në listë. Janë 1,2 miliardë lekë për laboratorët në ISHP dhe 1,4 miliardë lekë për sigurimin e vaksinës nëpërmjet mekanizimit Covax.”
Kreu i qeverisë sqaroi edhe situatën e krijuar në spitalet Covid-19.
“Autoambulancat nuk janë, si ato të Vasilit dhe të Tritan Kryemadhit, janë të pajisur 100% me aparaturat përkatëse dhe me maska oksigjeni. Ndërkohë që bëhet procedura e shtrimit, pacientët marrin të gjithë shërbimin e nevojshëm në autoambulancë. Vende në spitale ka, edhe mund të mos kishte siç po ndodh në Belgjikë dhe Vjenë. Telefonat në pavijonin Covid-19 nuk lejohen, pasi atje nuk është stadium apo sallë dasmash për video.”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.