Si rrallëherë pas një mbledhje qeverie, Kryeministri Edi Rama ka dalë këtë të marte në një konferencë për shtyp duke u ndalur në katër pika, por me një theks të veçantë te lojërat e fatit.
Kreu i qeverisë ka deklaruar se nuk do të ketë më asnjë shtyrje dhe se biznesi 130 milionë euro i kazinove dhe basteve sportive nuk do të ngrejë më asnjë qepen nga 1 janari 2019, të paktën në ato që cilësohen si zona të banuara. Kryeministri nënvizoi se brenda 24 orëve nga televizionet, radiot, gazetat apo portalet duhet të hiqen reklamat që lidhen me aktivitetin e lojërave të fatit ndërkohë që Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit do t’i nënshtrohet një ristrukturimi tërësor në përputhje me regjimin e ri që do të ketë sektori nga 1 janari 2019.
“Është një ndryshim që besoj të gjitha familjet shqiptare do ta presin dhe është një ndryshim në ligjin për lojërat e fatit. Sipas ligjit, duke nisur nga data 31 dhjetor 2018, do të pushojnë së funksionuari të gjithë kazinotë elektronike. Ndryshimi i sotëm përfshin edhe bastet sportive. Si dhe çdo lloj basti për çdo garë të ashtuquajtur në pistë, me kuaj me qen apo me çdo lloj skllavi të faunës shqiptare.
Ndërkohë po punohet për regjimin e ri të licencimit dhe kontrollit të kësaj veprimtarie në distancë nëpërmjet internetit dhe brenda po këtij afati 31 dhjetorit, ne do të kemi një regjim të ri gati. Për ata që po synojnë ta çajnë rrethimin në ligjin ekzistues me metodat që e çanë koalicionin qeverisës në kohën kur u shty mbyllja e këtij aktiviteti marrëzie kombëtare sqaroj edhe një gjë tjetër, që Lotaria Kombëtare nuk do të ketë asnjë element të kazinove elektronike ose siç njihen në gjuhen zyrtare VLT duke qenë se Lotaria Kombëtare është një koncesion i bërë në të shkuarën me një ligj të veçantë.
Dhe tej argumentit të biznesit, të të punësuarve, të ardhurave të cilat për hir të së vërtetës janë thuajse dyfishuar në raport me të shkuarën nga 1 janari 2019 nuk do të ngihet më asnjë qepen për baste dhe ashtu siç është përcaktuar në ligjin ekzistues, s’do ngrihet asnjë qepen kazinoje elektronike në asnjë zonë të banuar në 28 mijë kilometra katrorë të Republikës së Shqipërisë.
Në zbatim të ligjit ekzistues, që ndalon reklamimin e kompanive të basteve dhe që është shkelur nga të gjitha mediat pa përjashtim, unë i paralajmëroj që brenda 24 orësh të heqin gjithë reklamat nga ekranet, portalet, gazetat. AMA do të monitorojë zbatimin e ligjit për ekranet dhe radiot ndërsa ne do të mbyllim me forcë çdo faqe online që pas 24 orësh do të ketë reklama bastesh. Po sot, qeveria ka pezulluar aktivitetin e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit “që deri më 31 dhjetor 2018 do transformohet dhe robotizohet për të funksionuar si mbikëqyrës në regjimin e ri”, deklaroi Rama.
Biznesi që qarkullon miliona euro
Biznesi i lojërave të fatit është rritur vit pas viti dhe duket se edhe në 2017 regjistroi një tjetër ecuri pozitive. Shpenzimet për frymë të shqiptarëve për kazino loto e bingo në këtë vit arritën në 46 euro.
Sipas të dhënave të përpunuara nga ‘Monitor’, bazuar në xhirot e deklaruara të 14 kompanive kryesore të kazinove, basteve, loto, bingo, lotari, qarkullimi vjetor zyrtar i industrisë ishte 16.6 miliardë lekë, ose rreth 132 milionë euro. Në krahasim me një vit më parë, shpenzimet e shqiptarëve për loto e kazino janë rritur me 9.3%, apo rreth 11 milionë euro më shumë.
Biznesi i lojërave të fatit u zgjerua në vitin 2016 me 15%, ndërsa edhe në 2018 vlerësohet që do të rritet ndjeshëm për shkak të Kampionatit Botëror dhe shtimit të pikave të lotove e basteve, që po shtrihen në kryeqytet e qytete të tjera të vendit, duke zëvendësuar baret e lokalet tradicionale.
Pavarësisht këtyre shifrave ka gjithmonë një rezervë për situatën reale për shkak të informalitetit çka tregon se shifra reale që qarkullon ky biznes është më i lartë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
JU KAM SHKRUR EDHE ME PARE ASNJEHERE MOS BENI KRAHASIME MIDIS VITEVE QE NUK SHKOJNE SEPSE DUHET TE MERRET PARASYSH DHE INFORMALITETI.
NQS KRAHSON 2017 ME 2016 REALISH XHIRO MUND TE KETE RENE POR DEKLRIMI ESHTE RRITUR.PRA SMUND TE JETE E NJEJTA BAZE KRAHASIMI PER DY VITE ME SITUATATA TE NDRYSHME