Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka vendosur të plotësojë ciklin e katër koncesioneve mbi lumin e Bushtricës duke hapur së fundmi garën për hidrocentralin e fundit.
Sipas dokumenteve të publikuar pranë Agjencisë së Prokurimit Publik bëhet me dije se ky koncesion do të jetë për Bushtrica 4 dhe përfshin shfrytëzimin e pellgut ujor të lumit me të njëjtin emër, në kuotën e 820 metra mbi nivelin e detit deri në 1336 metra mbi nivelin e detit.
Operatorët e interesuar duhet të shprehin interes deri më 21 gusht 2017 dhe pjesën më të madhe të pikëve e zë fuqia e instaluar dhe më pas vijnë tarifa koncesionare dhe analiza ekonomike dhe financiare.
Bushtrica 1 dhe 2
Më herët në fund të muajit prill pak para se fushata elektorale të ndizte motorët në maksimum, Ministria e Energjisë dhe Industrisë hapi një garë për partneritet publik privat për dy hidrocentralet Bushtrica 1 dhe 2.
Këto të fundit do të ndërtohen në kuotat 380 metra mbi nivelin e detit deri në kuotën 498 metra mbi nivelin e detit dhe nga 503 metra mbi nivelin e detit deri në kuotën 678 metra mbi nivelin e detit.
Në vitin 2007 qeveria Berisha do të miratonte një bonus prej 9.5 për qind të pikëve për propozimin e pakërkuar nga kompania “2A Power sh.p.k. së cilës iu hoq e drejta pas mosrespektimit të kontratës.
Bushtrica 3
Në 12 qershor të po këtij viti Ministria e Energjisë dhe Industrisë do të shpallte për interes edhe hidrocentralin Bushtrica 3. Kjo ishte në vargun e një seri HEC-esh të tjera si Kalivaçi, Grabovë, Lusa e më pas Gojan.
Ky HEC parashikohet të ndërtohet në kuotën 683 metra mbi nivelin e detit deri ne kuotën 879 metra mbi nivelin e detit.
Pavarësisht vrullit për të dhënë disa koncesione në kohën kur vendi ishte në ethe elektorale duket se kanë nisur edhe kundërshtimet e para. Panë Komisionit të Prokurimit Publik është paraqitur edhe ankesa e parë që lidhet me Bushtrica 1 ankimuar nga një kompani private.
Aktualisht procedurat e prokurimit janë pezulluar me një vendim të veçantë me përjashtim të emergjencave që marrin miratim paraprak.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.