Sot do të firmoset marrëveshja me Abu Dhabin për ndërtimin e 2 mijë apartamenteve në Durrës, të shkatërruar nga tërmeti i 26 nëntorit të një viti më parë.
Kryeministri Edi Rama njoftoi nga Emiratet e Bashkuara se kjo marrëveshje do t’i hapë rrugë kantierit të ndërtimit në Spitallë e Durrës, në javët e ardhshme.
“Rastësia e desh që sot, në 1-vjetorin e tragjedisë së tërmetit të 26 nëntorit, të jemi në Emiratet e Bashkuara për të firmosur marrëveshjen e financimit dhe ndërtimit të 2 mijë apartamenteve të reja në Durrës. Ishte mirësia vëllazërore e një miku shumë të çmuar, princit të kurorës Mohammed bin Zayed, i cili në ato ditë aq të zymta ma hapi derën e shtëpisë së tij dhe ma dëgjoi lutjen për ndihmë, e cila bëri të mundur manifestimin e jashtëzakonshëm të paharrueshëm të solidaritetit nga ana e Emirateve të Bashkuara për Shqipërinë në Konferencën e Brukselit.
Ministri i Rindërtimit dhe Agjencia jonë për Zhvillimin e Territorit kanë punuar pa pushim së bashku me skuadrën e inxhinierëve të vënë në dispozicion nga Princi, si dhe me Fondin e Abu Dhabit për të rënë dakord dhe për të realizuar me sukses marrëveshjen që sot në firmosim, e cila i hap rrugë kantierit të ndërtimit në javët e ardhshme. Qeveria shqiptare do të financojë krejt infrastrukturën lagjes së re në Spitallë, ndërsa sipërmarrësi i mirënjohur i botës arabe Mohamed El Alabbar, ndërtuesi i disa prej ngrehinave më mbresëlënëse në Lindjen e Mesme, do të realizojë qoftë banesat e Spitallës dhe qoftë banesat e reja që do të ndërtohen në vend të pallateve të shembura në Durrës nga goditja e 26 nëntorit të shkuar”.
Marrëveshja e sotme do t’u hapë rrugë negociatave të qeverisë shqiptare me sipërmarrësit emiratas për investime të drejtpërdrejta në Shqipëri, deklaroi Rama nëpërmjet një video.
“Njëkohësisht me princin e kurorës kemi rënë dakord përfshirjen e Emirateve të Bashkuara për zhvillimin e Durrësit fillimisht dhe disa zonave të tjera në vazhdim përmes investimeve direkte me projekte të mëdha në radhë të parë në turizëm por jo vetëm. Kështu sot do të firmosim edhe marrëveshjen mes dy qeverive që do t’i japë rrugën për negociata direkte qeverisë shqiptare me sipërmarrësit emiratas për investime të drejtpërdrejta në Shqipëri, duke nisur nga Durrësi.
Lartësia e tij, Sheiku Mohammed bin Zayed, rikthehet kështu për herë të dytë në Shqipëri, në një moment përsëri nevoje për popullin për vendin tonë. Herën e parë ai u ul me një avion ndihmash në pistën e Kukësit, që i ati i tij mblodhi më shpejtësi për të mbështetur viktimat e Luftës së Kosovës. Ai rikthehet këtë herë në Shqipëri pas 20 vitesh jo vetëm për të ndihmuar familjet e prekuri nga tërmeti por për të na u bashkuar për përpjekjet tona për Shqipërinë që duam.
Duke e nisur nga Durrësi, ku parashohim një investim të parë të madh për transformimin e Portit të mallrave në Durrës, në një nga portet më të bukura turistike të Mesdheut. Më të keqen e kemi lënë pas, më e mira është e gjitha përpara nesh”.
Ndërtimi i 2 mijë apartamenteve ka një vlerë prej 75 milionë dollarë, shkuan ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj në një postim në facebook, i cili ndodhet së bashku me kryeministrin në Abu Dhabi.
“Sot 1 vit nga tërmeti i 26 Nëntorit, nuk mund të ndaja me ju një lajm më të mirë se nënshkrimi i marrëveshjes me Fondin e Abu Dhabit për Zhvillim, finalizimi i një procesi intensiv diskutimesh, studimi, planifikimi e projektimi me miqtë e partnerët tanë emiratas, një projekt fantastik me vlerë 75 milionë dollarë që angazhon jo vetëm njohuritë dhe eksperiencën e vyer inxhinierike, por edhe një koncept modern të jetës në komunitet, në qendrat e reja urbane, ekonomike e sociale që do të kthehen në modelin e ardhshëm të rilindjes urbane në të gjithë vendin”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.