Pas futjes në punë të linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, edhe linja me Maqedoninë e Veriut është në kantier ndërtimi, deklaroi kryeministri Rama në konferencën e përjavshme “Ekonomia në fokus”. Kryeministri shtoi se po shihet mundësia e zgjerimit të tregut me Italinë dhe Malin e Zi.
Lexo edhe këtë: Aktivizohet linja e transmetimit të energjisë Shqipëri – Kosovë, pas 4 vitesh bllokim
“Më lejoni të sjell në vëmendje se aktualisht jemi në kantier për projektin e linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Maqedoni e Veriut, dhe sapo kemi vënë në punë linjën Shqipëri-Kosovë, një projekt i konsideruar me të drejtë historik nga paraardhësi im, por i kthyer në një histori sa të dhimbshme aq edhe qesharake për vite të tëra të qeverisjes së mëparshme dhe më pas i bllokuar për disa vite nga vetoja e Serbisë, që e hoqi po Shengeni rajonal.
Nga ana tjetër besoj se ky zhvillim kaq i rëndësishëm mes dy shteteve tona dhe nga ana tjetër dhe projekti i linjës me Maqedoninë janë pjesë e një tërësie ndryshimesh të mëdha që po ndodhin përfshirë këtu edhe kushtet për themelimin e bursës shqiptare të energjisë që nisi me ndryshimet ligjore të 2018 dhe pastaj me nënshkrimin e marrëveshjes mes operatorit shqiptarë dhe atij të Kosovës të shpërndarjes, duke sjellë një etape të re në sektorin e energjisë.
Jemi në një proces të zgjerimit të tregut me Italinë dhe Malin e Zi, duke pasur parasysh që rrjetet e energjisë po zhvillohen gjithmonë e më shumë. Dhe nga ana tjetër jemi në kushtet kur për sa i përket rrjetit tonë të energjisë mund të flasim për arritje të jashtëzakonshme, me uljen e humbjeve dhe padiskutim edhe në aspektin e mbledhjes së detyrimeve që tani më janë kthyer në një normë që nuk e diskuton askush”.
Ndërtimi i Skavicës do të japë mundësinë e eksportit të energjisë, tha Rama.
“Një tjetër pikë e rëndësishme ishte dhe nënshkrimi i marrëveshjes me SHBA-në për Skavicën duke mos çuar dëm asnjë pikë uji për energjinë elektrike dhe duke e kthyer Shqipërinë në eksportuese të kësaj energjie. Është futur në fazën e parë”, tha Rama.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.