Kryeministri Edi Rama në një dalje publike gjatë ditës së sotme ka bërë publik planin për përballimin e emergjencës energjetike dhe mbrojtjen e shtresave në nevojë.
Plani i energjisë nuk parashikon rritje çmimesh për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla.
Plani ka tre pika, sqaroi Kryeministri:
-Garantimi i energjisë për të gjithë;
-Mbrojtja e konsumatorëve familjarë dhe bizneseve të vogla nga rritja e çmimeve;
-Garantimi i likuiditetit për situatën energjike, me 100 milionë euro këtë vit për kompaninë e shpërndarjes së energjisë dhe 100 milionë euro të tjera vitin tjetër.
Kriza do të zgjasë deri në verë, tha Rama.
Rama tha që unë nuk jam këtu as për t’i rënë me top arkës së shtetit, por as që tu themi konsumatorëve që rrini në errësirë dhe paguani sa të doni. Rama mohoi që vendi e shet energjinë lirë dhe e blen shtrenjtë. Ai sqaroi se e shesim lirë kur ka energji me shumicë dhe nuk e do njeri dhe e blejmë shtrenjtë kur ka shumë kërkesë dhe çmimi është i lartë. “Për këtë arsye po ndërtojmë Skavicën, që të ruajmë energjinë kur ka thatësirë”. Ai sqaroi se nafta e prodhuar në vend nuk bën për konsum, pasi është naftë e rëndë, ndërsa importojmë 600 mijë ton në vit. Në çmimin e naftës është taksa e qarkullimit, (e cila në rajon është taksë më vete) ndaj është nafta më e shtrenjtë në rajon, .
Kjo krizë është aq sfiduese sa dhe pandemia, me pasoja edhe më të rënda nëse nuk veprojmë, paralajmëroi Rama.
Pse nuk rriten rrogat?
Kryeministri u ndal edhe në akuzat se pse rrogat nuk rriten, duke pranuar indirekt se ecuria ekonomike nuk ka qenë e mjaftueshme për të mundësuar një rritje të pagave, që edhe sot janë më të ulëtat në rajon.
Rritja e pagave e pensioneve nuk bëhet e pabazuar në ecurinë ekonomike të vendit, tha Rama. Kjo do të thotë të vrasësh të nesërmen, duke ecur symbyllur në të sotmen.
Rama tha se çmimi i energjisë për konsumatorët familjarë aktualisht është ndër më të lirët në rajon. Çmimi që e blejnë konsumatorët nuk është ai real, por është i kontrolluar nga shteti, në mënyrë që të mbrohen konsumatorët.
Rama tha se pensionistët që jetojnë vetëm dhe shtresat e varfra marrin një kompensim për energjinë për 187 mijë familje për 126 milionë dollarë në vit.
Ai tha se nëse pagat e pensionet rriten menjëherë, atëhere shteti do të falimentonte brenda dy vitesh dhe do të hynim në një krizë urie brenda vitit nëse paga minimale bëhej 500 euro.
Rama tha se nëse duam tu ngjajmë vendeve që kanë më shumë sesa ne, duhet të kemi parasysh se ata kanë punuar shumë për të rritur produktivitetin në ekonominë e tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.