Pas shkarkimit të drejtorit të tatimeve, Enton Duro, për mungesë performance në mbledhjen e të ardhurave tatimore, kryeministri Rama ka prezantuar zëvendësin e tij. Drejtorja e re e tatimeve do të jetë Delina Ibrahimaj, e cila deri tani ka mbajtur postin e drejtoreshës së INSTAT.
“Kush nuk arrin indikatorët nuk mund të jetë pjesë e kësaj administratë, as e tatimeve as inspektoratit të punës”, tha Rama. ” Si mundet të pranohet sot që flasim që të kemi 15 mijë kasa jo raportuese në biznese që figurojnë aktive nga 112 mijë të tilla”.
Të ardhurat
Performanca e Tatimeve ka qenë e dobët këtë vit, duke reflektuar ngadalësimin e rritjes ekonomike nga 4% vitin e kaluar në vetëm 2.1% në tremujorin e parë të këtij viti, mbylljen e aktivitetit të lojërave të fatit si dhe faktin që projektet e mëdha si gazsjellësi TAP dhe HEC-i i Devollit janë drejt fundit, duke ndikuar edhe në aktivitetin e kompanive që kanë qenë të lidhura me to.
Në pesë muajt e parë të vitit, të ardhurat nga Tatimet ishin 61.9 miliardë lekë, me një rritje prej 5.8%, duke rezultuar 1.3% ose rreth 800 milionë lekë më pak se plani. Zëri me ecurinë më negative është ai i TVSH-së, me një rënie prej 12% në raport me janar-maj të një viti më parë, që është kompensuar me rritjen e të ardhurave nga tatim fitimi dhe tatimi mbi të ardhurat personale.
Më e dobët ishte performanca e doganave, me të ardhurat që u rritën vetëm 0.5% me bazë vjetore për 5-mujorin, ose rreth 2 miliardë lekë më pak se plani.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.