Ish-kryeministri Italian D’Alema në krye të grupit të personave që duan të rregullojnë kriptomohedhat nëpërmjet blockchain. Rreziqet pse nuk e rregullojnë vendet e tjera kriptomonedhën
Nga një rrezik drejt tjetrit, nga rreziku i falimentimit të buxhetit prej koncesioneve dhe kontratave PPP drejt kriptomonedhave. Shqipëria është vendi i parë në botë që do të fusë në rregullim teknologjinë blockchain për kriptomonedhat.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, deklaroi dje pasdite në sesionin për teknologjinë e lartë në Konferencën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Privatësisë se “qeveria e Shqipërisë ka hapur konsultimin publik për një ligj të ri për tregjet financiare, bazuar tek teknologjia Blockchain”.
Por Monitor botoi para pak ditësh qëndrimin e ish-ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, aktualisht kryetar i Komisionit të Ekonomisë në konferencën e Bankës së Shqipërisë. Ahmetaj thotë se “ka ardhur besoj momenti që autoriteti rregullator, por edhe ligjbërësit të mendojnë seriozisht, sepse crypto currencies sa mund të jenë një bekim, mund të kthehen edhe në një mallkim, sidomos për ekonomi dhe sisteme si tonat. Besoj që duhet futur në axhendën e diskutimit mes jush, qeverisë dhe ligjvënësit”.
Kryeministri tha se “duke vendosur për konsultim publik këtë pjesë të legjislacionit, ne po përpiqemi të hapemi gjithashtu për përdorimin e monedhave kripto, por në një kuadër të rregulluar, diçka, le të themi, që askush nuk e ka bërë akoma”.
Sot në botë ka shumë diskutime për kriptomoedhat mbi përcaktimin nëse janë commodities apo monedha dhe shumica e rregullatorëve të tregjeve financiarë nuk kanë marrë përsipër ta rregullojnë veprimtarinë e kriptomonedhave për risqet e mëdha që mbartin për pastrim parash pasi shmangen rregullatorët.
Edhe në projektligjin e propozuar relatohet se “për të shfrytëzuar sa më mirë përfitimet që ofron kjo teknologji, por edhe për të adresuar një sërë rreziqesh të mundshme siç janë, krijimi i skemave mashtruese apo skemave të paautorizuara për të ofruar aktive virtuale, rreziku i përdorimit të aktiveve virtuale për të pastruar para, si dhe manipulimi i tregut, nevojitet një kornizë ligjore e plotë në mënyrë që ky aktivitet të rregullohet”.
Kryeministri është koshient kur thotë se “është ndërmarrje shumë guximtare e ndërmarrë nga Shqipëria, falë punës së madhe të kryer nga një grup shumë i respektuar personash”. Po kush janë personat e respektuar që po sjellin blockchain në Shqipëri?
Për herë të dytë, vetë kryeministri Rama lançon nismën për kriptomonedhat nëpërmjet blockchain në krah të ish-kryeministrit italian Masimo D’ Alema dhe kompanisë italiane “Consulcesi”, një kompani call center, por që nuk publikohet në njoftimin e Kryeministrisë.
“Vërtet dëshiroja të shprehja falënderimet e mia, mirënjohjen time kompanisë që i ka zyrat qendrore diku tjetër, por ka degën e saj në Shqipëri dhe po ofron këto lloj shërbimesh për sistemin tonë të shëndetësisë dhe me rezultate vërtetë shumë të mira. Është një kompani italiane, që ka dhënë më shumë rezultate në Shqipëri sesa ka patur në Itali. Ofron të njëjtat shërbime si në Itali, edhe në Shqipëri dhe duket sikur ne shqiptarët nuk jemi dhe aq mirë në krahasim me italianët, i shmangemi rregulloreve”, u shpreh kryeministri pa cilësuar emrat.
Është e çuditshme që lançimin e projektligjit nuk e bën as ministrja e Financave dhe Ekonomisë e as kreu Bordit të AMF që janë te pranishem në takim por vetë kryeministri që thotë jam artist, por që prej vitesh po shtyn fort nismën për një ligj për kriptomonedhat nëpërmjet blockchain.
Rama thotë se “nuk jam këtu për të folur për sa i përket Blockchain, unë personalisht jam artist, nuk jam person i teknologjisë, por nuk mendoj që detyrimisht duhet të jesh shkencëtar, apo person që detyrimisht merresh me teknologjinë që të kuptosh që Blockchain, për here të parë, ka bërë të mundur në gjithë historinë e njerëzimit çdo lloji ndërveprimi pas asnjë lloj dyshimi ndërmjet dy palëve, pa qene nevoja për të qenë një palë e tretë, ose një palë ndërmjetëse. Ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt forcimit të besimit dhe besueshmërisë përsa i përket komunikimit, duke mos pasur në mes një ent ose ndërmjetës”.
Rama thotë se “për shumë persona dhe për mua personalisht, kur fillova të informohesha dhe të kryerja detyrat e mia të shtëpisë përsa i përket Blockchain, Blockchain ishte vetëm me ndërveprimin e monedhave kripto, por në fakt është në fakt një instrument shumë më i gjerë sesa vetëm kaq. Është shumë e qartë që përmes teknologjisë së Blockchain, ne do të kemi mundësinë për t’u dhënë në të ardhmen sistemeve tona efikasitet më të lartë dhe siguri më të madhe për sa i përket, p.sh. pronës, pronësisë dhe gjithashtu, padyshim, një vend si Shqipëria mund të ofrojë një mënyrë shumë më efikase për dërgesat e të ardhurave nga jashtë, duke ulur të gjitha kostot dhe duke rritur shpejtësinë e ndërveprimeve”.
Monitor e njoftoi dje hapjen e këshillimit publik për teknologjinë blockchain dhe kriptomonedhat https://www.monitor.al/monedhat-virtuale-shqiperia-harton-ligjin-per-kushtet-e-emetimit-dhe-infrastrukturen-e-teknologjise-dlt/ dhe do t’ju informojë në vijim për avantazhet e sidomos risqet që sjell kjo teknologji dhe shanset shumë të vogla për t’u zbatuar në një vend si Shqipëria që ende bën thirrje biznesit të hap llogari bankare?!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.