Ramosaço: Hallkat e sistemit shëndetësor nuk funksionuan, kemi treguesit më të përkeqësuar në rajon

13/03/2021 10:06 PM 0 komente

Ish-drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Liljana Ramosaço tha se disa nga elementet kyçe të pandemisë si: Testimi, humbjet e jetës dhe së fundmi imunizimi janë në shifra rekorde negative, krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë. Kjo për arsye se, asnjë nga hallkat e sistemit shëndetësor nuk arriti të funksionojë siç duhej.

 

Zonja Ramosaço ju keni drejtuar për disa vite Institutin e Shëndetit Publik. A keni një vlerësim se si po menaxhohet pandemia?

Pandemia, një nga sfidat më të mëdha të njerëzimit. Modeli që qeveria jonë ndoqi në këtë epidemi bëri që të dëmtohej rëndë shëndeti, jeta e njerëzve dhe gjithashtu ekonomia. Asnjë nga hallkat e sistemit shëndetësor nuk arriti të funksionojë siç duhej dhe goditja ndaj sistemit shëndetësor në këtë epidemi  arriti deri te  humanizmi dhe etika mjekësore në ofrimin e shërbimit si asnjëherë më parë.

Elementet më të rëndësishme në këtë kohë si: sa shqiptarë po sëmuren, sa po humbin jetën, a janë marrë masat e mjaftueshme për ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit  nuk u analizuan asnjëherë në mënyrë serioze nga komiteti.

Disa nga elementet kyçe të  pandemisë si: Testimi, humbjet e jetës dhe së fundmi imunizimi janë në shifra rekorde negative  krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë.

Mungesa e transparencës dhe fshehja e shifrave të vërteta të epidemisë çojnë në mosmarrjen e përgjegjësive nga ana qytetarëve dhe sot kërkohet që të bëhet fajtor për situatën. Humbet rëndësia e masave që ti vendos në momentin që i jep informacion jo të vërtetë qytetarit. Autoritetet Shëndetësore duhet të kishin vendosur një kulturë tjetër në raport me edukimin shëndetësor dhe të bashkëpunonin me qytetarin, jo të vendosnin  gjobat prioritet.

Qeverisë i doli jashtë kontrollit situata dhe i gjithë vendi u kthye në një spital me shtretër spitalorë në shumicën e banesave të qytetarëve. Pagesat individuale të bëra nga qytetarët për shërbimin e testimit dhe trajtimit ndaj Covid kanë qenë në shifra qindra miliona euro dhe për rimbursimin e këtyre shifrave nuk u ndërmor asnjë masë eficiente nga qeveria. Vetëm rreth 3% e të infektuarve u rimbursua për një mjekim të moderuar ndaj Covid.

 

A keni informacion për avancimin e infektimit dhe afërsisht sa për qind ka arritur shkalla e infektimit?

Po e filloj analizën nga personeli shëndetësor. Është thënë që numri i personelit shëndetësor  të infektuar është afërsisht  1300 nga rreth 10000 testime të bëra tek ky personel, pra  13%. Vetëm në një qendër shëndetësore ku kam informacion nga 70 punonjës shëndetësor,  të paktën 30 prej tyre kanë qenë pozitivë dhe e kanë kaluar Covid-19 përpara muajit dhjetor 2020.

Në raport me popullatën tek ne fillimisht infeksioni u përhap në institucionet shëndetësore, ato shtetërore dhe më pas ka pasur transmetim komunitar. Mendoj se shifrat e vërteta të infektimit janë të paktën 7-8 herë më të larta se ato që  raportohen nga Ministria e Shëndetësisë.

 

A keni ndërtuar një skenar se si do vazhdojë imunizimi me dhe pa vaksine tek ne?

Për sa i përket imunizimit, nëse ne do ishim interesuar në kohën e duhur për  marrëveshjet me kompanitë prodhuese, që kanë qenë në treg, duke theksuar në kontratë sigurinë dhe certifikimin e vaksinave nga autoritetet kompetente, situata sot do ishte shumë më ndryshe në lidhje me epideminë.

Sot shifrat e infektimit vazhdojnë të jenë të larta, përqindja e të vaksinuarve është shumë e ulët dhe pothuaj me ndikim zero në imunizim, masat e marra janë joeficiente dhe duket sikur përqindjen më të madhe të imunizimit do ta arrijmë nëpërmjet imunitetit të tufës  nëse nuk do vaksinojmë rreth gjysmën e qytetarëve në një kohë të afërt, gjë e cila duket e pamundur në skenarët e planifikuar nga Ministria. Shqipëria është i vetmi vend në botë që nuk ka arritur akoma të thyejë kurbën e rasteve aktive.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of