A e gjeni dot ndryshimin mes Raport-Progresit të prillit 2018 me atë të majit të këtij viti? Mos u mundoni, nuk ka asnjë ndryshim!
Shqipëria, në tërësinë e saj, “pikturohet” po njësoj, me të njëjtat probleme dhe tërësinë e rekomandimeve të paplotësuara. Njësoj sikur të njëjtit dokument t’i kenë ndryshuar vetëm datën dhe vitin. Madje, edhe fjalët prezantuese nga përfaqësuesit e BE-së ishin në esencë të njëjta.
Në vitin 2018 na u tha se për hapjen e negociatave nuk do të ketë kushte shtesë. Zonja Mogherini iu betua shqiptarëve se e meritonin t’i afroheshin edhe më shumë BE-së drejt anëtarësimit. Kjo zgjoi atëherë buzëqeshjen e fjetur të Kryeministrit shqiptar, e cila u shua shpejt pas takimit me kancelaren Merkel në Berlin.
Pas gati një viti, sërish i njëjti raport, e njëjta kortezi; Shqipëria e meriton po të presim. Pra thelbi nuk ka ndryshuar. Si një vit më parë, edhe tani, mazhoranca e ka përjashtuar veten nga përgjegjësitë dhe çdo pengesë e lidh me refuzimin e krahut konservator brenda BE-së, të cilët janë kundër zgjerimit.
Po le ta zëmë se është kështu dhe qeveria ka të drejtë. Por tani që ky krah është forcuar edhe më shumë, nga zgjedhjet e para disa ditëve? Jo-ja, me gjasë, do të jetë edhe më e fortë. Ky moment është në disfavor të Shqipërisë dhe askush nuk e dëshiron. Megjithatë, ne e kishim mundësinë që të paktën për një vit të tregonim forcë dhe vullnet për të punuar fort dhe për të ndryshuar gjërat. As kjo nuk ndodhi, përkundrazi, gjërat u përkeqësuan. Sot, vendi është në krizë politike, ku kokëfortësia po e çon vendin drejt një krize me shumë dimensione të paprovuar, ndaj ka edhe shumë rreziqe, ca të njohura dhe ca të panjohura.
Ndërkohë, Reforma në Drejtësi nuk i është drejtuar fare shënjestrës. Nuk kemi ende asnjë hetim të nisur zyrtarisht ndaj politikanëve të lartë, megjithëse shqetësimet për korrupsionin vijnë në rritje.
Nga ana tjetër, edhe mjedisi i jashtëm nuk ka ndryshuar. Refuzimi i qeverive të disa vendeve anëtare është më i qartë dhe më sasior, krahasuar me një vit më parë. Së fundi, qeveria e Holandës, skeptike në atë kohë, por më refuzuese tani, ka avancuar më tej me ndëshkimin. Ajo i ka kërkuar zyrtarisht Komisionit Europian edhe rikthimin e vizave për lëvizjen e shqiptarëve brenda BE-së!!! Edhe me shqiptarë, në anën tjetër të kufirit në Kosovë, ka nisur të marrë formë të qëndrueshme një mosmarrëveshje e madhe politike dhe ekonomike, duke reflektuar më së miri se Shqipëria nuk po di të ndërtojë ura, as brenda vetes dhe as jashtë saj, duke sjellë shembuj që tregojnë se këtë vit, më mirë se vjet, e meritonim hapjen e negociatave.
Atëherë a ka arsye që Raport-Progresi i këtij viti dhe rekomandimi pozitiv për hapjen e negociatave nga Komisioni të jetë më shpresëdhënës se para një viti, kur nuk ndodhi asgjë? Në kohën e Partisë së famshme të Punës, në përfundim të vitit shkollor për fëmijët e shkollave tetëvjeçare, bashkë me dëftesat e notave jepeshin edhe ca dëftesa si stimuj vlerësimi e nxitje.
Por veçonte njëra prej tyre, që u jepej zakonisht atyre me rezultate të dobëta, por që gjithsesi e kalonin klasën – ishte dëftesa për pastërti shembullore. Shpërndarja e një dëftese të tillë, nga një anë, shkaktonte ilaritet te fëmijët, por e vinte në siklet edhe vetë përfituesin e saj, duke e veçuar e duke theksuar për rezultatet e dobëta të arritura gjatë vitit.
Edhe në Raport-Progresin e këtij viti, Shqipëria u përgëzua që për një vit nuk bëri pis asgjë, por e la gjendjen ashtu siç ishte, paçka se thonjtë e pushtetit që kapin ekonominë janë ende të paprerë dhe shamia e bardhë është e ndotur nga njollat e korrupsionit. Urojmë që ky Raport-Progresi të mos i ngjajë një dëftese si ajo për pastërti shembullore, aq më tepër që ndryshe nga kjo e fundit, nuk ta garanton kalimin e klasës, pra hapjen e negociatave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.