Raporti: 68.9% e të rikthyerve nga emigracioni janë të papunë, ndërsa 59% janë të pasiguruar nga punëdhënësi

23/07/2020 1:00 PM 0 komente

Mbi 70% e të rikthyerve pohojnë se punësimi, strehimi dhe informacioni për shërbimet janë 3 nevojat kryesore për të cilat ata kanë nevojë e që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e familjeve të rikthyera nga emigracioni në Shqipëri.

Kjo është një ndër gjetjet kryesore të studimit të fundit, të realizuar nga World Vision Albania në bashkëpunim me ACER (Qendrën Shqiptare për Kërkime Ekonomike) për shërbimet dhe asistencën e ofruar ndaj të rikthyerve nga emigracioni në nivel lokal, si dhe sfidat kryesore me të cilat ata përballen.

Në fokusin e këtij studimi kanë qenë disa aspekte të rëndësishme lidhur me asistencën dhe shërbimet e ofruara ndaj familjeve të rikthyera në vendin tonë, si në aspektin social (mbështetja që marrin nga familja dhe komuniteti, kontakte me zyrat e shërbimit në nivel lokal, shërbime shëndetësore, etj.), ashtu dhe në aspektin ekonomik (shërbimet në Zyrat e Punësimit, situata aktuale e punësimit).

Në lidhje me aspektin ekonomik, të dhënat tregojnë se 68.9% e të rikthyerve nga emigracioni janë të papunë, ndërsa 59% janë të pasiguruar nga punëdhënësi (ose punojnë në të zezë) dhe 36% e tyre shprehen se të ardhurat mesatare të familjeve të tyre variojnë mes 10.100 – 25.000 lekë/muaj.

Pas riatdhesimit, vështirësitë që hasin të rriturit, ashtu sikurse edhe fëmijët e tyre për t’u riintegruar në vendin e tyre janë të mëdha. Rreth 58% e të intervistuarve pohojnë se do të emigronin përsëri jashtë vendit, nëse do t’u jepet mundësia. Ndërkohë që sipas tyre, arsyet për të riemigruar lidhen me: papunësinë (50%), mundësi më të mira punësimi (36.8%) dhe një të ardhme më të sigurt për fëmijët e tyre (33.2%).

Studimi u zhvillua gjatë muajit prill 2020 me 190 të rikthyer në 13 bashki të Shqipërisë ku zbatohet projekti RE-IN-VEST “Kthim në Mundësi të Reja” i financuar nga GIZ dhe implementuar nga World Vision Albania në bashkëpunim me Diakonia Agapes dhe SHKEJ.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of