Raporti global: Rritja e rasteve me variantin Delta shton masat kufizuese

28/06/2021 1:29 PM 0 komente

Moska raporton numrin më të lartë të vdekjeve nga çdo qytet tjetër rus, ndërsa varianti Delta detyron marrjen e kufizimeve më të rrepta në rajonin  e Azi-Paqësor.

Moska ka regjistruar numrin më të lartë të vdekjeve Covid-19 në ditë në krahasim me çdo qytet tjetër rus, pasi varianti lehtësisht i transmetueshëm Delta, detyroi marrjen e kufizimeve më të ashpra në vendet në rajonin e Azi-Paqësorit dhe shtoi shqetësimet në rritje për udhëtimet e pushimeve në Europë.

Vaksinimet kanë ulur numrin e infektimeve në shumë vende të pasura dhe masat kufizuese në jetën e përditshme vazhdojnë të lehtësohen në pjesën më të madhe të BE-së dhe SH.B.A.-së, por ekspertët paralajmërojnë se përhapja e shpejtë e variantit të ri do të thotë se pandemia edhe pse është ngadalësuar globalisht, është larg përfundimit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë këtë fundjavë regjistroi numrin më të ulët të rasteve në të gjithë botën që nga muaji shkurt, por paralajmëroi që varianti Delta, tani i pranishëm në 92 vende, po shkakton një valë të re vdekjeprurëse në vendet nga Indonezia në Rusi. Moska të Dielën regjistroi një numër rekord vdekjesh nga Covid-19, prej 144 personash në 24 orë pas një shpërthimi të rasteve të reja në të gjithë vendin.

Kryebashkiaku i kryeqytetit rus, Sergei Sobyanin, paralajmëroi se “zgjidhja e vetme” ishte “vaksinimi i shpejtë, në shkallë të gjerë”. Ndërkohë, në shumicën e vendeve në Europë, infektimet, shtrimet në spital dhe vdekjet vazhduan të bien në nivele që nuk janë parë që nga vera e kaluar, si pasojë e të cilave disa qeveri lehtësuan këtë fundjavë masat kufizuese, ndërsa avancojnë fushatat masive të vaksinimit.

Spanja hoqi mbajtjen e maskave të detyrueshme në ambientet e hapura, ashtu si Holanda, ku kufizimet në drejtim të restoranteve dhe klubeve të natës u hoqën për të gjithë personat që kishin një test negative PCR.

Belgjika lehtësoi më tej masat e saj, duke lejuar tavolina me tetë persona në ambientet e brendshme, si edhe lejimin e mysafirëve në shtëpitë e njëri-tjetrit, ndërsa kufizimet e mbetura u hoqën edhe në Zvicër. Ministri zviceran i shëndetësisë, Alain Berset, u bëri jehonë disa homologëve të tij europianë duke thënë se ai besonte se përdorimi më në masë i vaksinave mRNA Pfizer-BioNTech dhe Moderna duhet të jepte mbrojtje të mjaftueshme kundër variantit Delta.

Sidoqoftë, Gjermania, e cila ka vaksinuar plotësisht më shumë se 35% të popullsisë së saj të përgjithshme dhe 53% e popullsisë së saj kanë marrë vetëm një dozë vaksine, këtë fundjavë deklaroi Portugalinë një “zonë të variantit të virusit Delta”, duke ndaluar shumicën e mbërritjeve nga ky vend, përveç shtetasve gjermanë dhe karantinën e detyrueshme dy-javore për të gjithë. Masa, e cila u mor vetëm disa ditë para fillimit zyrtar të “certifikatës e gjelbër dixhitale” të BE-së synonte të lehtësonte masat kufizuese për udhëtimet për ata që janë të vaksinuar, e kanë kalaur Covid-in, kanë një test negativ, rriti shqetësimet mbi turizmin veror brenda bllokut.

Varianti Delta tani përbën më shumë se 70% të rasteve të reja në zonën e Lisbonës, sipas autoriteteve portugeze dhe 51% të rasteve në të gjithë vendin, me rajonin jugor Algarve, të njohur për turistët, duke regjistruar një riprodhim ose numër “R” prej 1.34. Portugalia vendosi rregulla më të rrepta në fund të javës së kaluar, duke përfshirë që restorantet të mbyllen më herët gjatë fundjavës në Lisbonë dhe Albufeira.

Rreth 30% e popullsisë portugeze është vaksinuar plotësisht deri më tani. Në destinacione të tjera të njohura të pushimeve europiane, ekspertët e shëndetit kanë thënë se varianti Delta ndoshta do të jetë  dominues në Greqi deri në mes të gushtit dhe paralajmërojnë se bllokime të rrepta lokale mund të jenë të nevojshme gjatë verës në zona me mbulim të ulët të vaksinimit që mund të përballen me rritje të numrit të rasteve .

Disa rajone spanjolle, përfshirë Katalonjën, tashmë kanë regjistruar një normë prej 20% të rasteve të variantit Delta, dhe zyrtarët rajonalë të shëndetësisë po parashikojnë që lloji më ngjitës mund të jetë dominues brenda dy deri në katër javë. Përtej Europës, Indonezia, vendi më i goditur në Azinë jug-lindore, regjistroi më shumë se 21,000 raste në ditë, me spitalet në Xhakarta dhe qytete të tjera të mbingarkuara pasi miliona persona udhëtuan në fund të muajit të Ramazanit.

Situata është e ngjashme edhe në Tajlandë, e cila tha se do të rivendosë kontrolle të rrepta në restorantet në Bangkok, vendet e ndërtimit dhe tubimet nga e hëna për të kufizuar një valë të re që filloi së fundmi të përhapet në kryeqytet.

Malajzi, Kryeministri, Muhyiddin Yassin, njoftoi se bllokimi mbarëkombëtar i thënë për një muaj do të vazhdonte për një kohë të pacaktuar, ndërsa Bangladeshi tha gjithashtu se do të vendoste masa kufizuese të reja duke filluar nga e hëna.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, nxiti 940 milionë banorë që të vaksinohen sa më shpejt të jetë e mundur mes shqetësimeve në rritje për përhapjen e variantit Delta në disa shtete.

Australi, restorantet, baret dhe kafenetë u mbyllën në Sidnei pasi më shumë se 5 milionë njerëz filluan një bllokim dy javor për të kufizuar një përhapje në masë, duke qenë se më shumë se 110 raste u zbuluan që kur një shofer që punon në aeroport doli pozitiv me variantin Delta në mes të qershorit.

Qyteti verior i Darvinit gjithashtu filloi një bllokim të veçantë 48-orësh të dielën pas një shpërthimi në një minierë ari të largët, të cilën Kryeministri e përshkroi si “kërcënimin më të madh që nga fillimi i krizës”.

Ndërkohë, Zelanda e Re, ku jeta ishte kthyer në normalitet, njoftoi një pezullim emergjent tre-ditor të korridorit të saj të udhëtimit pa karantinë me Australinë. Edhe vendet me vaksinime shumë të suksesshme kanë hasur në vështirësi.

Izraeli për shembull ka vendosur përsëri një kërkesë për të mbajtur maskat ​​në vende të mbyllura publike pasi ka parë një rritje të rasteve të reja të lidhura me variantin Delta.

Në rajonet ku vaksinimi deri më tani ka qenë minimal, progresi i varinatit Delta është alarmant dhe  rastet janë rritur me 25% gjatë javës së kaluar në të gjithë Afrikën si një e tërë, ndërsa Afrika e Jugut është shteti më i goditur./The Guardian

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of