Rreziqet që vijnë nga ndryshimet klimatike – nga rritja e nivelit të detit dhe thatësirat e shpeshta – do të kenë ndikim shkatërrues te shoqëria. Për Apple, ndryshimi i klimës mund të nënkuptojë më shumë përdorues besnikë ndaj kësaj marke dhe një kërkesë më të lartë për iPhone.
Ky është një nga përfundimet e një raporti të Apple mbi aktivitetin e tij, i publikuar nga CDP, një organizatë jofitimprurëse, e cila mbledh informacione nga kompanitë mbi ndikimin e tyre në mjedis.
Apple është ndër kompanitë e shumta, mes të cilave Walt Disney Co dhe Bank of America, që u dërgojnë raporte të ngjashme kësaj organizate, që identifikojnë rreziqet dhe mundësitë se si ndryshimet klimatike kanë potencialin të ndikojnë nga pikëpamja financiare në biznesin e tyre.
Raporti, mjaft i detajuar, përfshin zëra mbi rreziqet, mundësitë dhe personelin e kompanisë që mbikëqyr programin mjedisor të Apple. Kompania konfirmoi se përgjigjet janë dërguar në emër të Apple, raporti është vullnetar dhe nuk është kërkuar nga ndonjë ent qeveritar. Edhe pse vlerësimet mbështeten në informacione publike, raporti jep një vlerësim interesant se si e sheh Apple ndikimin e ndryshimeve klimatike në aktivitetin e tij.
Apple ka deklaruar, për shembull, se ndoshta do të ishte më e dobishme nëse qeveritë do të shtonin rregullat mbi karakteristikat që duhet të kenë pajisjet elektronike efikase sa i përket konsumit të energjisë. “Apple do të ishte në një pozicion të mirë për të përfituar nga këto rregullore, falë vëmendjes së vazhdueshme ndaj eficiencës energjetike të pajisjeve tona” – shkruante kompania në raport. Përfitimi i mundshëm? 2,3 mld dollarë, të llogaritura duke vlerësuar një rritje hipotetike të shitjeve totale të Apple.
Apple shkruan në raport se situatat e rënda meteorologjike mund të rrisin kërkesën për iPhone. “Pajisjet mobile mund të veprojnë si një rrjet komunikimi jetik në situata emergjente ose të jashtëzakonshme” – shkruan Apple. “Mund të shërbejnë si një elektrik apo si një alarm, mund të japin udhëzime për të dhënë ndihmën e parë, mund të shërbejnë si radio dhe mund të karikohen dhe të zgjasin shumë ditë nëpërmjet baterive të makinave”.
Me kalimin e kohës, për shkak të situatave të ndryshme meteorologjike, kërkesa për pajisje të besuara pritet të rritet dhe duhet të jemi të përgatitur ndaj çdo të papriture në fushën e sigurisë personale dhe për shpëtimin e njerëzve të dashur.
Apple shkruan se falë funksionit “SOS”, që lidh lehtësisht iPhone dhe Apple Watch me shërbimet e emergjencës, do të rritet kërkesa për iPhone.
Apple thotë se ndikimi pozitiv i ndryshimeve klimatike ka të ngjarë të arrijë 920 mln dollarë.
Në vitet e fundit, për shembull, iPhone mund të marrë njoftime në raste emergjente, duke përfshirë edhe lajmërimet nga Shërbimi meteorologjik kombëtar dhe forcat e rendit lokale, që shfaqen edhe në Apple Watch. Ofrojmë edhe një aplikacion falas ‘gjej miqtë’ dhe një elektrik që ndizet shpejt” – shkruan Apple.
Por përveç mundësive, ekzistojnë edhe rreziqe të shumta për biznesin e Apple që mund të shkaktohen nga ndryshimet klimatike. Apple tha se situatat e rënda meteorologjike mund të “vënë në provë të vështirë sistemet e infrastrukturës” për të cilat ka nevojë për të prodhuar dhe për të shitur produktet e saj. Kosto potenciale? 300 milionë dollarë – një shifër e rëndësishme, edhe pse e vogël krahasuar me shpenzimet e Apple në 2017, 194 mld dollarë.
Apple tha se respektimi i mjedisit është i rëndësishëm për reputacionin e saj. “Për shembull, nëse Apple nuk është transparente dhe nuk u shpjegon siç duhet veprimet e saj aktorëve të tregut, keqkuptimi i publikut mund të krijojë perceptimin se Shoqëria nuk është e përgjegjshme ndaj mjedisit”, shkruan Apple.
“Edhe pse është e pamundur që një incident i vetëm të ndikojë në reputacionin e Shoqërisë, me kalimin e kohës mungesa e transparencës mund të minojë vlerën e markës Apple dhe të reduktojë prirjen e njerëzve për të blerë, për të investuar apo për të punuar për Apple” shkruan kompania. Deri tani, sipas raportit, shumë aspekte të biznesit të Apple nuk janë prekur, por Apple është duke projektuar të ardhmen. Në selinë ë saj të re, Apple ka mbjellë pemë që janë rezistente ndaj thatësirës dhe ka ndërtuar berma* – investimi ka kushtuar rreth 60 milionë dollarë.
Çdo vit, Apple publikon një raport mjedisor dhe 100% e dyqaneve, zyrave dhe aktiviteteve të saj furnizohen me energji të rinovueshme – thotë me krenari shoqëria. Apple është një nga 30 kompanitë amerikanë që ka marrë vlerësimin “A” nga CDP.
*Berma është një strukturë apo një mur betoni që qëndron në një argjinaturë për të parandaluar kolapsin e saj. Termi vjen nga gjuha holandeze.