Raporti i Deloitte / Barcelona, klubi me të ardhurat më të larta për sezonin 2019/20

26/01/2021 5:23 PM 0 komente

Edhe për sezonin 2019/2020, Barcelona renditet në vend të parë të klasifikimit të të ardhurave të shoqërive të futbollit

Ky është përfundimi i Football Money League 2021, i publikuar nga Sports Business Group i Deloitte. Edhe në sezonin 2019/20, Barcelona ruan vendin e parë, para klubit të Real Madrid. Qarkullimi për sezonin 2019/20 është 715 milionë euro, në rënie të ndjeshme krahasuar me 840 milionë euro në sezonin 2018/19.

Sipas raportit, 20 klubet më të mëdha të futbollit në botë sa i përket qarkullimit do të humbasin më shumë se 2 miliardë euro të ardhura brenda sezonit 2020/21. Këtë vit, analiza përqendrohet tek ecuria e të ardhurave të klubeve kryesore të futbollit, në një kontekst ekonomik dhe social të kushtëzuar nga pandemia e koronavirusit,

20 klubet e para gjeneruan në total 8.2 miliardë euro në sezonin 2019/20, në rënie me 12% krahasuar me sezonin e kaluar (9.3 miliardë euro)

Diferenca prej 1.1 miliardë eurosh shpjegohet me:

-rënien prej 937 milionë eurosh (23%) të të ardhurave të transmetimit, për shkak të shtyrjes së të ardhurave të transmetimit në vitin fiskal që mbaron në vitin 2020 dhe zbritjeve të transmetuesve në lidhje me sezonin e ndërprerë 2019/20;

-rënien prej 257 milionë eurosh (17%) të të ardhurave nga ndeshjet – disa u shtynë fillimisht, anuluan ose zhvilluan pa tifozë në stadiume;

-kompensimin me një rritje prej 105 milionë eurosh (3%) i të ardhurave tregtare, që reflekton fillimin e marrëveshjeve të ndryshme të rëndësishme për klubet e Money League në 2019/20.

Edhe pse asnjë skuadër futbolli nuk ishte imune ndaj pasojave të COVID-19, klubet e Money League u ndikuan më shumë financiarisht në terma absolutë – në edicionin e këtij viti, 20 klubet më të mëdha gjeneruan mesatarisht 409 milionë euro të ardhura për klub, me rënie prej 55 milionë eurosh krahasuar me sezonin 2018/19 (464 milionë euro për klub).

Megjithatë, duhet pasur parasysh një aspekt i rëndësishëm. Në rrethana normale, fundi i vitit fiskal për klubet përkon në përgjithësi me fundin e sezonit në nivel kombëtar (maj – qershor për pjesën më të madhe të kampionateve europiane).

Ndërprerja e sezonit të futbollit 2019/20 dhe qasjet e ndryshme të ndërmarra nga kampionatet, broadcaster dhe partnerët tregtarë kanë sjellë shpërndarjen e të ardhurave të klubeve për sezonin 2019/20 gjatë dy viteve financiare, që përfundojnë në vitin 2020 dhe 2021.

Analiza e Deloitte përqendrohet te viti financiar që përfundon me 2020-n. Për pasojë, tkurrja e të ardhurave të klubeve lidhet si me elementet e munguara (të ardhurat nga matchday, por edhe zbritjet për transmetuesit), por edhe me shtyrjen e disa të ardhurave në vitin tjetër.

Në fakt, ndërprerja e sezonit 2019/20 nënkuptoi, për pjesën më të madhe të klubeve, që rreth një e katërta e të ardhurave të vitit fiskal që përfundon në 2020 është zhvendosur në vitin që përfundon në 2021, që do të karakterizohet nga të ardhura tremujore shtesë.

Ndër të tjera, ndikimi i COVID-19 e ka bërë të vështirë krahasimin financiar të klubeve këtë vit, pasi kampionatet e futbollit në të gjithë botën i janë përgjigjur në mënyra të ndryshme emergjencës së koronavirusit – disa e kanë shtyrë ose ndërprerë sezonin, të tjerë e kanë anuluar plotësisht.

 

Deloitte Football Money League 2021, renditja

Përbërja e Money League ka mbetur kryesisht e qëndrueshme krahasuar me vitet e mëparshme. Klubet që përbëjnë top 10 mbeten të pandryshuara, ndërsa 18 shoqëri nga 20 ishin pjesë e Money League të vitit të kaluar.

Barcelona (në vend të parë me 715.1 milionë euro) dhe Real Madrid (në vend të dytë, me 714.9 milionë euro) qëndrojnë në krye të klasifikimit të Money League të këtij viti, me një hendek prej vetëm 0.2 milionë eurosh, më i ulëti në historinë e Money League.

Barcelona është klubi i dytë i Money League për rënie të të ardhurave në terma absolutë, pas një sezoni rekord (2018/19), kur u bë klubi i parë që kapërceu pragun e 800 milionë euro të ardhura (840,8 milionë euro).

Rënia e të ardhurave të Real Madrid ka qenë më e ulët. Klubi regjistroi një rritje të të ardhurave tregtare prej 28.1 milionë eurosh (+8%) falë zgjatjes së marrëveshjeve kryesore dhe blerjes së kontrollit të bizneseve fitimprurëse in-house.

Bayern Munich, kampion i Europës (634,1 milionë euro) është ngjitur në vend të tretë të klasifikimit të Money League (hera e fundit në podium daton në sezonin 2013/14. Klubi shënoi rënien më të ulët të të ardhurave (-4%) në top 10.

 

Manchester United gjeneroi 580.4 milionë të ardhura, duke zbritur në vend të katërt  dhe duke shënuar tkurrjen më të fortë të të ardhurave vjetore në Money League: 131 milionë euro (-19%).  Kjo ka ardhur pjesërisht, pasi Red Devils nuk morën pjesë në Champions League në sezonin 2019/20. Peshë zënë edhe mungesa e të ardhurave nga stadiumet, zbritjet dhe shtyrjet e të ardhurave nga të drejtat televizive.

Liverpool hyri në top 5 për herë të parë që nga sezoni 2001/02, me 558.6 milionë të ardhura. Rezultatet në fushë në vitet e fundit vijojnë të rrisin ecurinë financiare, me përfitime që lidhen me fitimin e Premier League të shpëndara në vitet fiskale që përfundojnë në 2020 dhe 2021.

Manchester City (vendi i 6 – 549.2 milionë euro), Paris Saint-Germain (vendi i shtatë, 540.6 milioni euro), Chelsea (vendi i tetë, 469,7 milionë euro), Tottenham Hotspur (vendi i nëntë – 445.7 milionë euro) dhe Juventus (vendi i 10  – 397.9 milionë euro) plotësojnë dhjetë vendet e para.

 

Renditja e plotë e 20 klubeve sipas të qarkullimit

Burimi: Deloitte

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of