Raporti i kredive me probleme 8.12%, i qëndrueshëm edhe për korrikun

11/09/2020 10:00 AM 0 komente

Raporti i kredive me probleme rezultoi 8.12% në fund të muajit korrik.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një rritje mjaft të lehtë nga niveli 8.09% i muajit qershor dhe konfirmojnë qëndrueshmërinë e këtij treguesi, në kushtet kur masat e përkohshme rregullatore që ishin në fuqi deri në fund të gushtit nuk kërkonin nga bankat riklasifikim të kredive të shtyra.

Moratoriumi i shlyerjes së kësteve ka bërë që kriza e Covid-19 të mos reflektohet në cilësinë e portofolit të kredisë së sistemit bankar. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, portofoli i kredive të shtyra deri në mesin e muajit qershor arriti në rreth dy miliardë euro.

Këstet e shtyra kishin vlerën e pothuajse 27 miliardë lekëve ose rreth 217 milionë eurove, shumë kjo që ngeli në bilancet e bizneseve dhe familjeve dhe i ndihmoi në përballimin e pasojave të krizës. Vetëm për bizneset, vlera e kësteve të shtyra vlerësohet në rreth 188 milionë euro ose sa rreth 11% e fondit vjetor të pagave.

Kreditë me probleme janë ende sot në nivele më të ulëta krahasuar me një vit më parë, kur qëndronin në nivelin e 11.19%. Megjithatë, bankierët mendojnë se rritja e kredive me probleme është e paevitueshme dhe pritet të materializohet duke filluar nga muaji dhjetor, kur të ketë kaluar periudha prej 90 ditësh nga përfundimi i moratoriumit. Afati prej 90 ditësh përfaqëson periudhën minimale që një kredi e papaguar të klasifikohet si kredi me probleme.

Pasiguria ende shumë e lartë e lidhur me të pandeminë e Covid-19 dhe ndikimet e saj në ekonomi e bën të vështirë të parashikohet sa mund të keqësohet cilësia e kredisë.

Megjithatë, kjo krizë e ka gjetur sistemin në pozita të mira kapitalizimi dhe likuiditetit. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit në mesin e vitit ishte 18.1%, raport 50% më i lartë se kërkesa minimale e Bankës së Shqipërisë.

Raporti mes aktiveve likuide dhe detyrimeve afatshkurtra në fund të korrikut ishte 45.8%, mbi dy herë më i lartë se kërkesa minimale rregullatore.

Burimi: BSH

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of