Raporti i kredive me problem në fund të muajit mars ra poshtë nivelit të 8%, për herë të parë pas më shumë se 12 vjetësh.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ky raport zbriti në 7.96%, niveli më i ulët që prej marsit të vitit 2009. Vitin e kaluar, sektori bankar arriti të ruajë një raport të qëndrueshëm të kredive me problem, pavarësisht krizës në të cilën pandemia e zhyti ekonominë e vendit. Në tremujorin e parë të këtij viti, ecuria ka qenë edhe më pozitive, me një rënie të lehtë, të mëtejshme.
Masat e aplikuara nga Banka e Shqipërisë vitin e kaluar kanë luajtur një rol të rëndësishëm për të mbajtur nën kontroll raportin e kredive me probleme, duke mos kërkuar nga bankat të riklasifikonin ato kredi që u shtyheshin apo ristrukturoheshin.
Një masë e tillë qëndroi në fuqi deri në fund të muajit mars 2021. Një qasje e tillë jo vetëm lehtësoi mbështetjen e huamarrësve në vështirësi të përkohshme për shkak të krizës, por pati një ndikim edhe më të rëndësishëm në drejtim të vijimit të huadhënies. Sipas bankierëve, në rast të rritjes së raportit të kredive me probleme, do të kishte qenë e pamundur që huadhënia të vijonte të rritej, siç ndodhi vitin e kaluar dhe siç po vazhdon të ndodhë edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Në këtë mënyrë, masat e përkohshme patën një ndikim të dyfishtë, si në krahun e numëruesit (stokut të kredive me probleme), ashtu edhe të emëruesit (portofoli total i kredisë) të këtij treguesi.
Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë miratoi gjithashtu edhe një shkurtim të afatit për nxjerrjen jashtë bilancit të kredive të humbura. Ky afat u shkurtua nga tre vjet në dy vjet. Megjithatë, vitin e kaluar vlera e kredive të humbura të fshira prej bankave ishte relativisht e ulët krahasuar me vitet e mëparshme, me rreth tre miliardë lekë.
Shfuqizimi në fund të muajit mars i masave të përkohshme që mbështesnin ristrukturimin pritet që të sjellë gradualisht një lloj ndikimi në gjendjen e kredive me probleme gjatë muajve në vazhdim. Megjithatë, bankierët mendojnë se ky ndikim do të jetë i kufizuar dhe shumica e projeksioneve të tyre nuk parashikon një rritje të raportit të kredive me probleme me më shumë se dy pikë përqindje.
Në fakt, vlera totale e kredisë së ristrukturuar përllogaritej sa rreth 3% e portofolit të total të kredisë për ekonominë në fund të vitit 2020. Rrjedhimisht, edhe me shfuqizimin e masave lehtësuese nuk pritet një ndikim shumë i madh i këtij segmenti të portofolit në ecurinë e raportit të kredive me probleme. Stoku i kredive me problem të sektorit bankar vlerësohet në rreth 50 miliardë lekë dhe, sipas Bankës së Shqipërisë, për të gjithë vitin 2020 u rrit me vetëm 1.6 miliardë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.