Raporti i kredive me probleme këtë vit po rritet edhe për institucionet financiare jobanka (IFJB). Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në mesin e këtij viti ky raport u rrit në 14.9%, nga 13.2% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.
Megjithatë, sektori i IFJB-ve ka rritur më tej rezultatin financiar dhe e ka mbyllur 6-mujorin e parë të vitit me një fitim prej afërsisht tre miliardë lekësh, në rritje me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i huasë i institucioneve financiare jobanka në fund të 6-mujorit 2023 arriti në 51.6 miliardë lekë ose pothuajse 485 milionë euro.
Portofoli i kredisë i dhënë nga këto institucione është rritur me 5% që nga fillimi i vitit dhe me 9.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në pjesën dërrmuese, portofoli kredisë së institucioneve financiare jobanka i takon institucioneve të mikrofinancës.
Vlerësohet se kredia e dhënë nga mikrofinanca përbën tashmë afërsisht 6.6% të portofolit të total të kredisë për ekonominë. Kredia e institucioneve financiare jobanka jepet kryesisht në monedhën vendase dhe kjo ka bërë që efekti i forcimit të Lekut në kursin e këmbimit të jetë më i vogël krahasuar me sektorin bankar. Në mesin e këtij viti, kredia në Lekë përbënte më shumë se 68% të vlerës totale të portofolit të kredisë.
Mikrofinanca krediton nevojat konsumatore të individëve dhe aktivitetin e bizneseve të vogla dhe mikro, kryesisht në atë segment që nuk gjen akses për financim nga sektori bankar. Kredia dhënë individëve zë 54% të totalit të kredisë dhe 46% i takon bizneseve.
Rritja e kredisë në vitet e fundit ka ardhur veçanërisht në segmentin e kredive të shpejta konsumatore, ku edhe rreziku i kredisë në përgjithësi është më madh. Rritja e inflacionit dhe e normave të interesit që prej fillimit të vitit të kaluar krijoi një mjedis më sfidues për aktivitetin e mikrofinancës. Për shkak të rrezikut më të lartë, sektori i mikrofinancës është më i ekspozuar ndaj efekteve të inflacionit të lartë në aftësinë paguese të klientëve. Nga ana tjetër, këto institucione u përballën me një rritje të kostove të financimit, për shkak të rritjes së normave të interesit në tregjet financiare.
Megjithatë, efektet e ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe rritjes së normave të interesit këtë vit po ndihen edhe për sektorin bankar. Raporti u kredive me probleme për bankat ka arritur në 5.3%, nga 5% që kishte qenë në fillim të vitit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.