Raporti i kredive me probleme “reziston” edhe për tetorin pranë nivelit 8.3%

10/12/2020 11:06 AM 0 komente

Raporti i kredive me probleme nuk u rrit as në muajin tetor. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ai u fiksua në nivelin 8.29%, nga 8.3% që kishte për muajin shtator. Ky tregues thelbësor për shëndetin e sektorit bankar po rezulton i qëndrueshëm edhe në dy muajt e parë pas mbylljes së moratoriumit të pagesave.

Megjithatë, pritet që përcjellja e efekteve të krizës në cilësinë e portofolit të kredisë mund të jetë i vonuar, sepse afati i përcaktuar në rregulloret e Bankës së Shqipërisë për t’i klasifikuar huatë si problematike është 90 ditë. 

Raporti i kredive me probleme është rreth dy pikë përqindje më i ulët krahasuar vitin e kaluar.  Gjatë gjithë këtij viti, ky tregues ka qenë mjaft i qëndrueshëm në intervalin me 8.1% dhe 8.3%, edhe për shkak të pezullimit për pothuajse gjashtë muaj të kërkesave rregullatore për riklasifikimin e kredive. 

Por, edhe në këto kushte nuk përjashtohet që raporti aktual i kredive me probleme të përfshijë një pjesë të efektit të krizës. Portofoli i kredisë, në fakt, ka vazhduar të rritet, pavarësisht mjedisit të përkeqësuar ekonomik. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të tetorit portofoli kishte vlerën e 592 miliardë lekëve ose rreth 4.8 miliardë euro.

Me bazë vjetore, kredia vazhdon të qëndrojë në rritje, me afërsisht 5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Që nga mesi i vitit, kredia e re i është afruar niveleve të vitit të kaluar, duke dëshmuar se huadhënia i është kthyer normalitetit dhe nuk reflekton shifrat e rënies së fortë ekonomike.

Veç të tjerash, vijimësia e kreditimit tregon edhe se bankat nuk vërejnë përkeqësim drastik të kërkesës apo të aftësisë paguese të huamarrësve.Vijimësia e kreditimit të ekonomisë dhe zmadhimi i portofolit është një faktor thelbësor për mbajtjen nën kontroll të raportit të kredive me probleme. 

Nga ana tjetër, fakti që raporti i kredive me probleme është i qëndrueshëm, megjithë rritjen e portofolit të kredisë, tregon se stoku i kredive me probleme, në vlerë absolute, ka njohur një rritje të lehtë. Pavarësisht se nuk kanë qenë të detyruara, bankat mund t’i kenë riklasifikuar një pjesë të kredive, mbështetur në të dhënat dhe analizat e tyre mbi gjendjen paguese të huamarrësve. 

Shumica e ekspertëve të sektorit, megjithatë, janë të mendimit se përcjellja e efekteve të krizës në cilësinë e aktiveve të bankave tregtare do të jetë e vonuar në kohë dhe do të fillojë të shfaqet duke filluar nga viti 2021. Një raport i Raiffeisen Research, njësia e kërkimeve e grupit bankar austriak Raiffeisen, parashikon që raporti i kredive me probleme në tregjet e Europës Juglindore do të rritet me 7% deri në 10% brenda dy viteve në vazhdim.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of