Bankat kalojnë testin e stresit, por, sektori bankar është i ekspozuar nga pasuritë e paluajtshme, si rrjedhojë e nivelit të lartë të kredive me probleme në këtë segment. Rreziqe të tjera janë papunësia dhe zhvlerësimi i lekut…
Ekspertët e Bankës së Shqipërisë kanë deklaruar sot gjatë prezantimit të Raportit të Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e dyte të vitit 2014 se sistemi financiar në vend vijon të jetë I qëndrueshëm. Megjithatë, ata shtuan se niveli i lartë i kredive me probleme është shqetësues. Pozitive është gjithsesi fakti që niveli I tyre pritet në rënie.
Në fund të shkurtit 2015, niveli i kredive me probleme zbriti lehtë në 22.5% nga 22.8% që ishte në dhjetor.
Rreziqet nga normat e interesit dhe likuiditetit janë të ulëta, theksuan ekspertët e Bankës së Shqipërisë. Në të njëjtën linjë edhe zhvillimet në eurozonë kanë një rrezik të moderuar.
Banka e kanë kaluar testin e stresit (i cili mat se si do të reagonin bankat ndaj skenarëve të ndryshëm ekonomikë), por, sektori është i ekspozuar nga pasuritë e paluajtshme, paralajmëruan ekspertët e BSH-së, si rrjedhojë e nivelit të lartë të kredive me probleme në këtë segment.
Rreziqe të tjera të ekonomisë mbeten dhe papunësia dhe zhvlerësimi i monedhës vendase.
Në raport janë publikuar dhe gjetjet e vrojtimit të konsumatorëve, sipas të cilit ka rezultuar se 30% e familjeve janë me borxhe.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.