Vlerësimi i Standard & Poor’s për borxhin e Shqipërisë qëndroi së fundmi në B + që do të thotë një perspektivë e qëndrueshme për aftësinë paguese të vendit ndaj kreditorëve. Vlerësimi mbeti i ngjashëm për disa vite me radhë teksa zhvillimet “nën banakun e qeverisë” sinjalizojnë për re te zeza në “qiellin financiar” të Shqipërisë. Për herë të parë Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit në vlerësimin për ecurinë e buxhetit të vitit 2017 raportuan borxhin publik më të lartë se shifra zyrtare e qeverisë. Diferenca me gati 2 për qind dhe disa fakte që Kontrolli i Lartë i Shtetit bëri publike për ‘falsifikimin” e deficitit buxhetor kane cenuar rëndë integritetin e qeverisë në lidhje ligjshmërinë.
Ministria e Financave raportoi se borxhi publik arriti në 70.1% të PBB më 2017, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar e përllogariti këtë tregues me 71.8 për qind. Kontrolli i Lartë i Shtetit raportoi në dokumentin e projektbuxhetit faktik 2017 se, borxhi real i vendit ishte me pranë vlerave te FMN-se, 72 % e PBB-së.
Por qëndrueshmëria e borxhit është cenuar në periudhën afatmesme nga aktivizimi i kontratave buxhetore me Partneritet- Publik-Privat, që nuk janë të kontabilizuara në borxh. Këto detyrime sipas auditimit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar janë 15 për qind e PBB-së.
Shqipëria renditet e para në Europë për detyrimet larta ndaj kontratave PPP që nuk janë kontabilizuar në llogaritë e borxhit publik. Sipas Eurostat në vendet e Europës maksimumi këto detyrime nuk i kalojnë 3 për qind të PBB-së.
Nëse detyrimet buxhetore ndaj PPP-ve do të përllogariteshin, borxhi faktik i vendit do të arrinte në mbi 86 për qind te PBB-se, nivel shumë më i lartë se, kufiri që duhet të aplikojnë vendet në zhvillim, jo më shumë se 60% e PBB-së.
Përtej zhvillime makroekonomike, perspektiva e stabilitetit fiskal të vendit po cenohet nga disa zhvillime në rrafshin demografik. Rënia më shpejtësi e popullsisë së vendit prej emigracionit të lartë dhe rënies së lindjeve po vë në vështirësi disa sektorë te ekonomisë reale të tilla si bujqësia dhe fasoni. Zhvillimet demografike për herë të parë vitin e kaluar u klasifikuan me ndikim serioz negativ në zhvillimet makroekonomike nga FMN.
Taksat e larta nga njëra ambienti jo favorizues për investimet e huaja, nuk po krijojnë mundësi për të zëvendësuar hendekun nga përfundimi i dy veprave të mëdha, gazsjellësit TAP dhe HEC-eve mbi lumin Devoll.
Të gjitha këto zhvillime kanë ulur treguesin e besimit në ekonomi të bizneseve vendase. Banka e Shqipërisë raportoi se Treguesi i Tendencës Ekonomike ra me 1.2 pikë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2018, duke vijuar rënien për të tretin tremujor radhazi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.