ReWheel: Konsumatorët europianë në tregjet konkurruese paguajnë deri në 20 herë më pak se ata në tregjet e mbrojtura për të përdorur smartphones që konsumojnë të njëjtat apo më shumë të dhëna në shpejtësi të ngjashme apo më të mëdha të rrjetit….
Tregjet europiane të telefonisë së lëvizshme, si Britania e Madhe, Finlanda dhe Austria kanë çmime më të ulëta dhe nivele më të larta përfitimi për klientët, sesa ato që dominohen nga pak grupe të mëdha, sipas një studimi të ri.
Tregjet europiane, të cilave u mungon një operatori i vogël sfidues, që vendos një nivel më të ulët çmimesh, mund ta ndrydhin kërkesën përmes çmimeve të larta, sipas një kërkimi nga ReWheel, një kompani kërkimore e cila studion konkurrueshmërinë e lidhjes përmes telefonisë së lëvizshme.
Kjo gjetje vjen teksa regullatori europian antitrust po shqyron me kujdes dy shkrirje të propozuara midis operatorëve të telekomunikacionit në Gjermani dhe Irlandë, që mund të vendosë një precedent për konsolidimin e ardhshëm të sektorit të telekomunikacioneve.
Drejtuesit e kompanive në grupet e mëdha të telekomunikacioneve argumentojnë se mënyra e vetme për të ndalur një rënie të të ardhurave që po vazhdon prej një kohe të gjatë, dhe një humbje të konkurrueshmërisë ndaj rajoneve si SHBA dhe Azia, është të reduktohet numri I lartë i grupeve rivale në rajon.
Ka shqetësime se niveli i lartë i konkurrencës ka bërë që risitë dhe investimet në tregjet europiane të telekomunikacionit kanë mbetur pas vendeve në Amerikën e Veriut dhe Azinë, ku ka një numër më të vogël të kompanive që luftojnë për klientët e telefonisë së lëvizshme.
Gjithsesi, studimi i ReWheel është në kontraditë me pretendimet e operatorëve, pasi ai tregon se duke I lejuar kompanitë të bashkohen në tregjet kombëtare, kjo ka të ngjarë që të çojë në çmime të larta dhe të godasë gjithashtu përdorimin e të dhënave në telefoninë celulare.
ReWheel tha se konsolidimi nënkupton se disa grupe të mëdha telekomunikacionesh, si Vodafone, Deutsche Telekom, Orange dhe Telefónica mund të bëhen “gardhet e ekonomisë dixhitale”.
Sipas raportit ka dy tregje të ndryshëm të telekomunikacionit: shtetet konkurruese ku çmimet e paketave të të dhënave ishin të përballueshme për shkak të një operatori sfidues dhe “oligopolet e mbrojtura të telekomunikacioneve” ku grupet e mëdha mund të ndrydhin kërkesën duke komanduar çmime më të larta dhe duke minuar aksesin e lirë në shërbimet e internetit.
Çmimet e të dhënave të telefonisë së lëvizshme në tregjet ku nuk është i pranishëm ndonjë operator sfidues– si në Gjermani, SHBA, Spanjë dhe Greqi – mund të jenë midis 30 deri në 100 herë më të larta për gigabyte sesa në tregje më konkurrues në Britaninë e Madhe, Danimarkë dhe Finlandë, sipas ReWheel.
Konsumi në tregje të tilla “të mbrojtura” është deri në 18 herë më i ulët sesa në tregje më konkurruese, sipas gjetjeve të ReWheel, ndërsa mesatara e shpejtësisë së internetit 4G është deri në tre herë më e ngadaltë sesa në tregjet konkurruese.
Penetrimi i telefonisë me bandë të gjere është gjithashtu deri tre herë më i ulët, shtoi ReWheel, teksa grupet e mëdha të telekomunikacionit mund të ngarkojnë deri në 16 herë më shumë për gigabyte për smartphone sesa grupet sfiduese të tilla si Iliad, Hutchison dhe Tele2.
ReWheel do të prezantojë një matës çmimesh, performance, përdorimi spektri, konsumi dhe përshtatje nëpër Europë, që përfshin 1,404 smartphone dhe plane tarifore vetëm për të dhëna, të ofruara në 43 shtete nga 145 operatorë.
Konsumatorët europianë në tregjet konkurruese paguajnë deri në 20 herë më pak se ata në tregjet e mbrojtura për të përdorur smartphones që konsumojnë të njëjtat apo më shumë të dhëna në shpejtësi të ngjashme apo më të mëdha të rrjetit.
“Tregjet e telekomunikacionit janë thelbësisht oligopoloe jo konkurruese,” tha raporti. “Konkurrenca e vërtetë ndodh përgjithësisht kur është i pranishëm një operator sfidues.”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.