Raporti Vjetor i BQK: Në 2017 u rrit kreditimi nga sistemi bankar me 11.5%; Kreditë e këqija me rënie

19/06/2018 9:54 AM 0 komente

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka publikuar Raportin Vjetor për vitin 2017, i cili paraqet një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike dhe financiare, si dhe të aktivitetit të BQK-së gjatë këtij viti.

Raporti fillimisht ofron një përmbledhje të zhvillimeve kryesore ekonomike dhe financiare në ekonominë e Eurozonës dhe të Evropës Juglindore, për të vazhduar pastaj me zhvillimet në ekonominë e Kosovës. Rritja ekonomikë në Kosovë në vitin 2017 vlerësohet të ketë qenë 3.7 për qind, kurse, për vitin 2018 parashikimet e BQK-së sugjerojnë se norma reale e rritjes së Produktit të Brendshëm Bruto pritet të jetë në intervalin prej 4.2 për qind deri në 4.4 për qind.

Sipas raportit, në vitin 2017, sistemi financiar u karakterizua me rritje të aktivitetit, sidomos rritja e kreditimit bankar me një normë vjetore prej 11.5 për qind. dhe rënia e kredive joperformuese, të cilat zbritën në 3.1 për qind, një nivel dukshëm më i ulët krahasuar me vendet tjera të rajonit.

Edhe normat e interesit në kredi vazhduan trendin rënës, duke kontribuar kështu në përmirësimin e mëtejmë të kushteve për qasje në financim bankar. Norma mesatare e interesit në kredi në fund të vitit 2017 ishte 6.8 për qind, në krahasim me normën prej 7.2 për qind të regjistruar në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Rëndësi të veçantë ka edhe përmirësimi i performancës së sektorit të sigurimeve, të cilat pas një periudhe të gjatë të brishtësive financiare, arritën ta përmirësojnë performancën dhe të shënojnë një profit neto në vlerë prej 6.4 milionë euro. Sektori mikrofinanciar shënoi rritje të aktivitetit kredidhënës, ndërsa vlera e gjithsej aseteve arriti në 193.5 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore të theksuar prej 29.4 për qind. Fondet pensionale u karakterizuan me një performancë pozitive në vitin 2017, ku vlera e përgjithshme e aseteve arriti në 1.65 miliard euro, një rritje e theksuar e aseteve prej 16.0 për qind, kurse dyfishoi kthimin në investime duke arritur në 103.1 milionë euro në vitin 2017.

Gjatë vitit të kaluar, në BQK janë shqyrtuar 602 ankesa të shfrytëzuesve të shërbimeve financiare (persona fizikë dhe juridikë), ku 335 ankesa kanë qenë të deponuara për banka, IMF, IFJB dhe fonde pensionale, përderisa 267 ankesa kanë qenë të deponuara për kompanitë e sigurimeve. /Telegrafi/

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of