Raste të reja me Covid, Mali i Zi rivendos kufizime, shtetrrethim në dy komuna

26/06/2020 2:32 PM 0 komente

Një muaj pasi shpalli veten pa koronavirus, Mali i Zi ka rikthyer disa kufizime për të parandaluar një rritje të rasteve të reja. Masat përfshijnë ndalimin e ngjarjeve sportive si dhe mitingjet politike në hapësirat publike.

Gjithashtu ndalohen edhe të gjitha tubimet fetare jashtë vendeve të adhurimit, megjithëse shërbesat në brendësi të kishave janë ende të lejuara. Funeralet do të kryhen vetëm brenda qarqeve familjare.

Autoritetet shëndetësore përgjegjëse për luftën kundër Covid-19 kanë vendosur gjithashtu shtetrrethim nga ora 6 e pasdites deri në orën 5 të mëngjesit në dy komunat më të goditura nga virusi në veri të Malit të Zi.

Edhe Serbia ka deklaruar këtë të premte se do të vendosë disa spitale në dispozicion për të trajtuar pacientët me Covid, pas një shpërthimi të rasteve të reja ditët e fundit.

“Sapo një pacient shërohet, një tjetër zë shtratin e tij … Ata janë kryesisht të rinj dhe disa janë në kujdesin intensiv,” tha Ivana Milosevic, nëndrejtoresha e Klinikës Infektive në Beograd.

Masat vijnë, pasi një ditë më parë Kroacia deklaroi se do të rivendosë një karantinë 14-ditore për vizitorët nga katër vendet e Ballkanit, ku mes të cilave përfshihet edhe Serbia.

Mali i Zi, i cili laget nga Adriatiku dhe shumë i varur nga turizmi, deklaroi veten pa koronavirus një muaj më parë, por në 10 ditët e fundit ka raportuar 100 raste të reja, duke e çuar në total numrin e të prekurve në 424, me nëntë humbje jete./Reuters

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of