“Rastet e konflikteve në rritje”

22/02/2020 1:26 PM 0 komente

Flet MSA av.Denisa Daka, përfaqësuese e Autorizuar e Zyrës së Patentave dhe Markave Industriale

 

Shqiptarët, veçse vitet e fundit janë ndërgjegjësuar për regjistrimin e patentave të produkteve/mallrave të tyre tregtare. Si vijon procesi i konflikteve për këtë arsye?

Një ligj i posaçëm rregullon në tërësi sistemin e dhënies dhe mbrojtjes së të drejtave të pronësisë industriale, mbrojtja e të cilës konsiston në mbrojtjen e patentave dhe modeleve të perdorimit, dizenjove industriale, markave tregtare dhe të shërbimit etj. Fusha e zbatimit të pronësisë industriale në këtë rast shtrihet në industri, tregti, bujqësi etj.

Gjithashtu, ekzistojnë disa marrëveshje bashkëpunimi në këtë rast, ndër të tjera dhe “Marrëveshja e Madridit”, e cila mundëson regjistrimin ndërkombetar të markave në bazë të një protokolli të posaçëm të vendeve anëtare përkatëse e datës 14 prill 1981, “TBP” Traktati i Bashkëpunimit për Patentat, miratuar në Uashington me 16.06.1970, me të gjitha ndryshimet që pasojnë.

Gjithashtu ekziston një “klasifikim ndërkombëtar” i mallrave dhe shërbimeve, në funksion të regjistrimit të markave, miratuar kjo e fundit me Marrëveshjen e Nicës, me datë 15 korrik 1957, me të gjitha ndryshimet që e pasojnë.

Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale është auoriteti përgjegjes para ligjit, e cila administron të gjitha procedurat për mbrojtjen e pronësisë industriale, kryen regjistrimin e objekteve të pronësisë industriale, si marka, patenta, dizenjo e treguesit gjeografikë.

Patentat jepen për shpikje në të gjitha fushat e teknologjisë, me kusht që: të përbëjnë risi, të përmbajnë një hap shpikës dhe të jenë të zbatueshëm në industri. Çdo person fizik apo juridik ka të drejtë brenda 9 muajve nga data e publikimit të kësaj patente, të depozitojë një kundërshtim për dhënien e patentës pranë Bordit të Apelimit të DPPM-së, në rast se konstatohet se patenta është dhënë në kundërshtim me kërkesat e ligjit në këtë rast, vendim i cili pasi shqyrtohet dhe vlerësohet nga ky i fundit në përputhje me ligjin, merr në çdo rast një vendim për shfuqizimin e patentës ose refuzimin e kërkesës së kundërshtimit.

Secilës palë, më pas, të prekur nga vendimi më sipër, i lind e drejta që kundër vendimit të Bordit të Apelimit të bëjë ankim në gjykatë brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit. Gjykatat kanë juridiksion në këtë rast për mosmarrëveshjet që lidhen me: a. shkeljen e të drejtave të një patente ose të një aplikimi për patentë, shfuqizimin e një patente, marrëveshjet e licencimit për patentat, vendimet e bordit të apelimit të DPPM-së, të parashikuara në këtë ligj. Objekt i këtij ligji janë dhe markat tregtare dhe të shërbimit, në të cilën specifikohen në mënyrë të detajuar kushtet dhe e drejta për mbrojtjen e tyre.

Markat regjistrohen vetëm nëse ato paraqiten grafikisht, në të cilat përfshihen fjalët, shkronjat, numrat etj., të cilat duhet të kenë doemos një karakter dallues, në rast të kundërt në shenjë nuk regjistrohet si markë nëse nuk ka karakter dallues, përbëhet nga elementë që cenojnë interesin publik ose që bien në kundërshtim me rendin publik etj., si dhe në të gjitha rastet kur bie ndesh me të drejtat e mëparshme.

Janë të shumta rastet kur subjekte të ndryshme, persona fizikë apo juridikë, pronarët e markave apo patentave, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kundërshtojnë vendimet e Bordit të Apelimit, duke evidentuar në paditë përkatëse para gjykatave, shkeljen e të drejtave të markave dhe patentave nga subjekte të ndryshme, konfliktet e marrëveshjes së licencimit mes palëve, si dhe çdo veprim që përbën shkelje referuar dispozitave përkatëse të ligjit sa më sipër.

Në cilët sektorë evidentohen më tepër raste procesesh gjyqësore për pronësine intelektuale?

Nga eskperienca ime lidhur me ndjekjen e rasteve specifike, ndaj me ju mendimin se prevalojnë më së shumti rastet e falsifikimit apo kopjimit të markave industriale në sektorët ushqimorë, blegtoralë, farmaceutikë e industrialë.

Si mund të menaxhohet situata nga ana e autoriteteve që të ulet numri i konflikteve?

Gjykuar nga unë, duhet një ndërgjegjësim i posaçëm në lidhje me këtë problematikë, nga mediat, mes botimeve të ndryshme periodike, por dhe përmes tryezave të iniciuara nga DPPI ose ente të ndryshme që merren me të drejtat e pronësisë industriale për sqarimin dhe mbrojtjen e të drejtave përkatëse në çdo rast. Janë të shumta konfliktet mes subjekteve, persona fizikë apo juridikë, të cilat shqyrtohen çdo ditë pranë gjykatave të të gjitha niveleve.

Duke iu referuar veprimeve që përbëjnë shkelje të të drejtave të patentës, pasi kam ndjekur procese të tilla gjatë punës sime, sqaroj në këtë rast, se çdo pronar i patentës ose aplikanti për patentë ka të drejtë të ngrejë padi në gjykatë, kundër çdo personi që shkel ose rrezikon të shkelë të drejtat për patentën, e në të gjitha rastet kur provohet se shkelja ka ndodhur ose është duke ndodhur, gjykata kompetente, përveç gjykimit të çështjes në themel, vendos edhe për kompensimin përkatës në këtë rast, si dhe merr masa për parandalimin e shkeljeve të mëtejshme.

Nëse pronari i patentës së regjistruar, paraqet një ankesë për mallrat e importuara në Republikën e Shqipërisë, ose mallrat e tjera brenda tregut, të cilat rezulton të cenojnë të drejtat e tij, autoritetet doganore janë të detyruara të bëjnë verifikimet përkatëse dhe në bazë të investigimeve korrekte të vendosin bllokimin e zhdoganimeve ose heqjen e tyre nga tregu, duke pasur njëkohësisht detyrimin të njoftojnë menjëherë importuesin ose tregtarin për masat e marra në këtë rast.

Me rritjen e numrit të regjistrimeve të markave, vijon edhe rritja e rasteve të proceseve në radhë për t’u gjykuar çdo ditë në gjykatat e të gjitha niveleve, lidhur me kundërshtimin ndaj një marke të depozituar për regjistrim ose të regjistruar.

Flat design Piracy concept. Thief stealing light bulb idea from a head. Cartoon Vector Illustration.

Si duhet të veprojë një biznes në rast se konstaton shkelje të pronësisë së tij?

Në çdo rast, personat e interesuar, pronarë të markave përkatëse, kërkojnë t’i zgjidhin gjyqësisht këto konflikte me të tretët, duke kërkuar ndalimin e veprimeve të tjera që shkelin të drejtat, gjithashtu kërkojnë edhe shpërblim për dëmin e shkaktuar në çdo rast, që mund të ngrihet në çdo rast brenda 3 viteve nga data kur paditësi merr dijeni për shkeljet e kryera në çdo rast.

Me kërkesën e palëve të interesuara, gjykata vendos në çdo rast marrjen e masave të përkohshme, të cilat konsistojnë në: ndalimin e hyrjeve së mallrave përkatëse në qarkullim, ndalimin e shkeljeve të pritshme, konfiskimin, nxjerrjen jashtë qarkullimit ose vënien nën kontroll të objekteve që përbëjnë shkelje, si dhe urdhëron bllokimin e pasurive të paluajtshme të shkelësit të pretenduar.

Është themelore për çdo subjekt, që kryen një veprimtari të posaçme, të fitojë të drejtën për të mbrojtur një markë, duke specifikuar në këtë rast dhe në listën e mallrave dhe shërbimeve për të cilat kërkohet regjistrimi, në përputhje me klasifikimin ndërkombëtar.

Pronarët e markave dhe patentave, në çdo rast të evidentimit të shkeljeve të të drejtave të tyre, duhet të godasin gjyqësisht çdo veprim të padrejtë që bie ndesh me të drejtat e tyre në këtë rast, brenda afateve ligjore të përcaktuara.

 

Rregulli

Çdo kërkesë e tillë për regjistrim, për të fituar të drejtën mbi një markë, mund të bëhet nga një person fizik apo juridik dhe nëpërmjet përfaqësuesve të autorizuar pranë kësaj zyre. DPPM ekzaminon në çdo rast kërkesat për regjistrimin e markave, duke parë njëkohësisht nëse ekziston një konflikt për shkeljen e të drejtave të markës.

Kundërshtimi ndaj një marke të publikuar depozitohet në çdo rast në DPPI brenda një periudhe tremujore nga data e publikimit përkatës nga aplikanti i një marke të mëparshme të depozituar në DPPI, çdo person që ka të drejtën e autorit, si dhe pronarët e një emri tregtar.

Bordi i Apelimit pranë kësaj zyre ka autoritet gjithashtu të shqyrtojë nëse kundërshtimi përkatës përmban apo jo kërkesat e ligjit, dhe seancat përkatëse bëhen në prani të palëve të interesuara.
Vendimi i Bordit të Apelimit në çdo rast vendos për refuzimin e kundërshtimit përkatës, ndërsa këtë vendim, palët e interesuara mund ta kundërshtojnë në gjykatë brenda 30 ditëve nga marrja në dijeni e tij.

 

Menaxhimi sipas ekspertëve

Autoritetet përkatese, administrative dhe gjyqësore duhet të kenë detyrim parësor për:

– Informimin e ndërgjegjësimin publikut, të bizneseve në veçanti, duke sjellë në vëmendjen e secilit risitë dhe përparësitë e mbrojtjes së markës apo patentës së tyre.

– Rritjen e ndërgjegjësimit lidhur me kulturën e mbrojtjes së produkteve të hedhur në treg, duke orientuar subjektet që operojnë në këtë fushë të kërkojnë parandalimin e çdo veprimi të kryer në mashtrim apo kundërshtim me ligjin nga të tretët, përpara organeve kopetente, duke garantuar kësisoj ecurinë normale të biznesve vendase e të huaja, të cilat do të siguronin një impakt pozitiv në ekonominë e vendit.

– Mbikëqyrjen me kujdes të praktikave përkatëse, në momentin e rregjistrimit të markave industrale apo patentave, duke shmangur kësisoj konfliktet mes subjekteve.

– Sigurimin e nje sistemi bashkëkohor të rregjistrimit të markave apo patentave në funksion të kryerjes së një procedure eficente dhe efikase në favor të subjekteve.

– Rritjen e cilësisë së ekzaminimit të markave e favor të subjekteve përkatëse.

– Mundësi aplikimi online për subjektet të cilët kërkojnë të regjistrojnë markat apo patentat për këtë qëllim.

– Krijimi i regjistrave elektronike, duke lehtësuar nisjen apo vijimin e procedurave nga ana e subjekteve të interesuara.

– Krijimi i seksioneve të veçanta pranë gjykatave apo prokurorive të rretheve, me gjyqtarë e prokurorë të specializuar për këtë qëllim, të cilet do të caktohen të hetojnë apo gjykojnë konflikte për këtë qëllim.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of