Tani, që kanë mbetur gati dy javë për të përfunduar ligjërisht procesi i amnistisë fiskale, ka të dhëna të vlefshme për të thënë se ky proces nuk ia arriti plotësisht qëllimit, së paku të qeverisë, që e zhvilloi këtë nismë.
Ministria e Financave, në fund të javës së kaluar, teksa dha shifrat pothuajse përfundimtare të amnistisë, pranoi që rezultati nuk ishte ai i prituri, si në drejtim të parave të arkëtuara në buxhet ashtu dhe të kapitalit të çliruar.
Nga legalizimi i parave cash nga individët dhe personat fizikë tregtarë, përfshirë dhe rivlerësimin e pasurisë nga individët, shuma e çliruar është vetëm 1.2 miliardë euro.
Një pjesë e këtij rezulati është shumë larg pritshmërive. Biznesi në kalkulimet e tij shprehej se përmes një aministie fiskale totale mund të çliroheshin 5 deri në 9 miliardë euro, por rezulati i fundit është shumë fish më i vogël.
Ai është i barabartë vetëm me shumën që pretendonin ndërtuesit se mund të çlirohej nga amnistia përmes hipotekimit të ndërtimeve informale. Kjo amnisti, siç duket, është jo vetëm me rezultat të vogël,
por edhe shumë të pjesshëm në suksesin e saj. Ajo nuk arriti të nxisë biznesin, forcën me të rëndësishme dhe të madhe të ekonomisë.
Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se 97% e shumës së çliruar nga informalitetit për shkak të amnistisë vjen nga rivlerësimi i pasurisë për idividët, vetëm 3% ka ardhur nga deklarimi i biznesit.
Rezultati vjen edhe bëhet edhe më i vogël kur mendohet se vetëm tre përqind çlirohet nga biznesi, kur ai përballon rreth 75% të prodhimit të përgjithshëm kombëtar.
Nga ky rezulat i deritanishëm, nga amnistia të humbur janë të gjithë, jo vetëm biznesi por edhe qeveria. Kjo e fundit edhe pse me ngulm arriti të zbatojë amnistinë ka arkëtuar deri tani përmes taksës vetëm 20 milionë euro.
Por mbi të gjitha, ky dështim i pjeshshëm është një shans i humbur. Kur aministia fiskale nisi të zbatohej ishte një moment i volitshëm për të gjithë: ekonomia shqiptare po vuante pasojat e krizës ekonomike,
që po reflektohej me tkurrje kapitali dhe biznesi nga ana tjetër, përmes deklarimeve të shpeshta publike , e kishte mëse të nevojshëm kalimin në një stad më të lartë zhvillimi,
dhe legalizimi i aktiveve ishte një hap i duhur në këtë drejtim. Me shifrat e fundit duket se qëllimi nuk është realizuar, duke humbur një shans, që rrezik se përsëritet më.
Ky konkluzion ka shpjegimin e tij më thelbësor: nuk mund të përsëritet më amnisti, pasi rastet e pjesshme të saj të aplikuara shpesh në Shqipëri si falje detyrimesh,
që nga fatura e energjisë apo ato fiskale kanë treguar se ato kthehen në bumerag dhe rrezikojnë ricikilimin e informalitetit.
Por pse nuk u ajo, që pritej?
Një rezultat i tillë deri diku dukej i pritshëm. Biznesi edhe pse ishte pala më e interesuar është shprehur mesë njëherë se forma e amnistisë është e tillë që nuk jep garanci ligjore.
Ai i druhej ndëshkimit pas legalizimit, i cili në ligj nuk shprehej qartë. Edhe burokracitë e shumta dhe perceptimi që nuk do të kishin përfitim u bënë arsye teknike që cënuan direkt procesin
dhe u pa qartë që në fillim se biznesi do të ishte pak i interesuar për të marrë pjesë në të.
Nga ana tjetër klima ku filloi ky proces nuk ishte e qetë. U vu re një nxitim i maxhornacës për të nisur amnistinë. Ajo u prezantua në prag fushate elektorale dhe kur tensioni politik ishte në një ndër kulmet e tij.
Kjo bëri që amnistia të mos siguronte konsensusin e nevojshëm politik dhe për këtë shkak rriti edhe më shumë pasigurinë tek biznesi. Ka arsye të tjera që lidhen me
faktin se vlerësohet se në këto 20 vite tranzicion, efektet e një amnistie konsiderohen si të ezauruara.
Paratë që kanë qarkulluar në vend me prejardhje të padeklaruara janë konsumuar periodikisht dhe vazhdimisht në investime në disa sektorë ku është relativisht e lehtë të fshihet burimi i pasurisë, siç janë veçanërisht ndërtimi,
tregtia apo shërbimet në përgjithësi.
Por procesi tashmë është në fund edhe kemi arritu në një pikë, ku rezultati edhe pse i pjesshëm, nuk arrit të përmbushë një nga arsyet kryesore për të cilat bëhen amnistitë në botë:
të ndikojë në reduktimin e ekonomisë informale, duke kaluar me një marrëveshje të mirë qarkullimin e likuiditeteve “të zeza” drejt qarkullimit zyrtar të parave.
Dhe ky është tashmë një shans i humbur, pasi qeveria që në fillim e kishte bërë të qartë se kjo do të ishte amnistia e fundit…
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.