Duke filluar që prej datës 27/04/2014, me një artikull të botuar në revistën “Monitor”, me titull “KE: AKEP nën influencë politike”, si dhe në ditët në vijim me shkrime të botuara në disa media të shkruara me tituj të ndryshëm, por që në thelb i referohen të njëjtit burim informacioni të deklaruar prej tyre, i paraqitet opinionit publik një informacion i deformuar dhe i pasaktë lidhur me origjinën e Raportit referues, të cilin, në mënyrë spekulative, e paraqesin si “Raport të Komisionit Europian për Telekomunikacionet” si dhe përmbajtjen e vërtetë të tij.
Me shqetësim vërejmë se ky spekulim, për qëllimin e të cilit nuk dëshirojmë të paragjykojmë askënd si të interesuar, po përdoret duke i servirur opinionit një studim të kryer nga Cullen International për Drejtorinë e Përgjithshme të Rrjeteve të Komunikimit, Përmbajtjes & Teknologjisë të Komisionit Europian, si një opinion zyrtar të Komisionit Europian.
Sqarojmë opinionin e gjerë publik se ky raport nuk është raport i KE-së por raporti i katërt i Cullen International “Monitorim i zhvillimeve rregullatore dhe të tregut për shërbimet e komunikimeve elektronike dhe shoqërisë së informacionit në vendet në zhvillim”.
Cullen International është një organizatë e cila përgatit studime, punë kërkimore dhe raporte për Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Europian dhe organizata të tjera, duke ndjekur zhvillimet në fushën e telekomunikacioneve, medias, tregtisë elektronike, postare dhe të energjisë në vendet e Europës, Amerikës Latine, Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Jugut.
Raportet e përgatitura nga Cullen International janë të një natyre studimore informuese dhe nuk reflektojnë qëndrimin zyrtar të Komisionit Europian. Për të shmangur çdo keqkuptim të mundshëm në këtë drejtim, në hyrje të çdo raporti, Drejtoria e Përgjithshme e Rrjeteve të Komunikimit, Përmbajtjes & Teknologjisë të Komisionit Europian, sqaron se: Informacioni dhe opinionet e shprehura në këtë material reflektojnë ato të autorit(ëve) dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë opinionin e Komisionit. Komisioni nuk garanton saktësinë e të dhënave të paraqitura në këtë studim. As Komisioni dhe as ndonjë person që vepron në emër të Komisionit nuk mban përgjegjësi për përdorimin e informacionit që përmban ky studim.
Komisioni Europian, qëndrimin zyrtar e shpreh nëpërmjet Raporteve të Progresit, i fundit ndër të cilët mbulon periudhën deri në shtator 2013 dhe nëse i referohemi, nuk do të gjejmë asnjë gjurmë të insinuatave të paraqitura në artikullin e botuar në revistë.
Theksojmë se raporti në tekstin origjinal në gjuhën angleze, paraqet fakte apo opinione të autorit(ve) të cilat nuk janë të kontestueshme nga ana jonë, pasi AKEP-i bashkëpunon prej vitesh në mënyrë shumë aktive dhe serioze me Cullen International dhe përbën burimin kryesor të furnizimit të kësaj organizate me informacionet e publikuara për Shqipërinë. Por përkthimi i pjesshëm dhe jo i plotë i këtij raporti i shoqëruar me interpretime dhe opinione të artikullshkruesve në raport jo të drejtë me të vërtetën dhe aq më tepër me burimin e tij, konsiderohen nga ana jonë abuzive, dizinformuese dhe aspak të pranueshme.
Për një njohje sa më të drejtë dhe të plotë me përmbajtjen e raportit të interesuarit mund t’i referohen në adresën www.akep.al, rubrika Njoftime, ku gjendet i publikuar teksti origjinal dhe i përkthyer në gjuhën shqipe.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.