Pas bërjes publike të listës së pagave të rreth 550 mijë personave, ka reaguar Ministria e Financave dhe Ekonomisë, duke e cilësuar si një ndërhyrje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve, për të cilën po përgatit edhe një denoncim zyrtar në Prokurori.
“Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndjekur me shqetësim daljen e të dhënave mbi pagat e shtetasve shqiptarë. Analizat paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka ndodhur asnjë eksport dixhital i databazës së pagave për periudhën janar – prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim.
Dokumenti ka një numër të ndryshëm nga personat e deklaruar dhe është bashkim i disa copave të ndryshme.
Po ashtu databaza dixhitale zyrtare e të dhënave të disponueshme nuk e përmban fushën “Emri i Plotë” siç lexohet në këtë dokument ilegal.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur prej rreth një muaji termat e referencës për procedurën e hapur ndërkombëtare të auditimit për efekt të certifikimit me standardet ISO të sistemit informatik të Tatimeve, e cila shpallet zyrtarisht javët e ardhshme.
Ndërkohë Ministria e Financave dhe Ekonomisë po përgatit denoncimin zyrtar për prokurorinë, në kërkim të zbardhjes së kësaj ndërhyrjeje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në reagim.
Lexo edhe këtë: Dekonspirohet lista e të punësuarve në të gjithë vendin, dalin pagat për rreth 550 mijë persona
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
I ka dixhitalizimi keto. Do te besh shtet dixhital me punonjes qe sdin shkrim e kendim