Real Madrid CF (vlera e markës në rritje me 19%, në 1,5 miliardë euro) arriti një dopjetë të rrallë, duke ruajtur titullin si marka më e vlefshme e klubeve të futbollit në botë, për të katërtin vit me radhë dhe fitoi për herë të parë titullin si marka e futbollit më e fortë në botë – sipas një raporti të ri të shoqërisë së konsulencës lider në vlerësimin e markave, Brand Finance.
Çdo vit, shoqëria Brand Finance, lider në vlerësimin e markave, rendit 5000 markat më të mëdha dhe publikon rreth 100 raporte, duke renditur markat në shumë sektorë e vende.
50 markat me vlerën më të lartë dhe më të fortë të industrisë së futbollit përfshihen në klasifikimin e përvitshëm Brand Finance Football 50. Ky vlerësim – i përpiluar nga kontabilistë profesionistë, në përputhje me standardet ISO të vlerësimit të markave, synon të vlerësojë përfitimin ekonomik neto që një pronar i markës do të arrinte duke licencuar markën në tregun e hapur.
Rritja prej 19% e vlerës së markës së Real Madrid këtë vit u nxit nga ndërthurja e fuqisë së përmirësuar të markës dhe një trajektore pozitive e të ardhurave.
Ky është një ndryshim i fortë dhe premtues krahasuar me rënien prej 10% në vlerën e markës vitin e kaluar, e cila u godit nga pasiguritë e COVID-19 dhe ndjenja më e dobët e tifozëve për shkak të planit të atëhershëm për një Superligë Europiane.
Klubet spanjolle rrisin vlerën e markës
Të gjithë markat e klubeve spanjolle po rriten në vlerën e markës. Më e rëndësishmja është Real Betis (+33%), ndjekur nga Atlético de Madrid (+30%), Villarreal CF (24%), Valencia (+22%), Athletic de Bilbao (+20%) dhe Real Madrid (+20%).
8 klubet e LaLiga, të përfshira ndër më të vlefshmet, së bashku kanë rritur vlerën e tyre me 18% krahasuar me vitin 2021. Real Madrid (1) dhe Barcelona (3) janë edhe një herë ndër tre markat e para me vlerën më të lartë këtë vit, ndërsa Atletico Madrid, është rritur në vendin e 12.
Të tre klubet janë kualifikuar sërish për sezonet e ardhshme në Champions League dhe do të presin me padurim të luajnë një sezon të plotë me pjesëmarrje e tifozëve në stadium, pasi kufizimet për Covid janë hequr.
Manchester City lë pas Barcelonën dhe renditet i dyti për vlerën e markës, duke regjistruar të ardhurat më të larta në futbollin botëror
Manchester City FC (vlera e markës në rritje prej 19%, në pak më shumë se 1,3 miliardë euro) lë pas Barcelonën (vlera e markës në rritje me 5%, në pak më pak se 1,3 miliardë euro) për herë të parë që nga viti 2015. Klubi anglez renditet e dyti, një rezultat që lidhet me regjistrimin e më shumë të ardhurave në futbollin botëror në vitin 2021.
Të ardhurat e larta të Manchester City mund t’i atribuohen paraqitjes së tyre të vazhdueshme në fushë në sezonin 2022 – me fitoren e Premier League angleze dhe arritjen në finalen e Champions League në vitin 2021 dhe në gjysmëfinalen e vitit 2022.
Studimi i Brand Finance mbi tifozët e futbollit në vitin 2022 tregon se edhe marka e Manchester City është rritur si në perceptime, ashtu edhe në ndjekje, duke shënuar një rezultat të lartë në metrika si “klubi është ambicioz” dhe “klubi ka një mbështetje globale”.
Marka e Barcelonës regjistroi një rritje modeste prej 5% në vitin 2022, duke arritur 1,3 miliardë euro. Forca e markës është AAA+, por parashikimet e të ardhurave më të dobëta krahasuar me periudhën para pandemisë e kanë lënë vlerën e markës pas krahasuar me pikun në vitin 2019.
Së fundi, klubi, në mënyrë disi të diskutueshme, ia shiti të drejtat e emërtimit të stadiumit të famshëm “Camp Nou”, Spotify, në një partneritet të gjerë, për të cilin drejtuesit shpresojnë se do të jetë një pikë kthese në rritje për perspektivat tregtare të klubit.
Në Itali, Juventus kryeson në klasifikimin e markave më të forta. AC Milan rritet më shpejtë në botë, me trofeun e parë pas 11 vjetësh
Juventus FC (vlera e markës në rritje me 25% në 705 milionë euro) ruajti pozicionin si marka e futbollit me vlerën më të lartë dhe më të fortë në Itali, ndërsa AC Milan (vlera e markës në rritje me 76% në 269 milionë euro), regjistroi rritjen më të shpejtë në të dy treguesit.
Dy klubet italiane përfshihen ndër markat me rritjen më të shpejtë në botë dhe udhëheqin një grup rezultatesh jashtëzakonisht të forta për markat italiane të futbollit në renditjen Brand Finance Football 50 2022.
Flamengo hyn në klasifikim në vendin e 49, si skuadra e vetme jashtë Europës në top 50
Klubi brazilian Flamengo (vlera e markës 96 milionë euro) hyn në klasifikim në vendin e 49, si i vetmi klub përfaqësues jashtë Europës në klasifikimin e 50 klubeve me vlerën më të lartë së bashku Celtic FC (vlera e markës në rritje prej 19% në 113 milionë euro); AFC Ajax (vlera e markës në rritje prej 3% në 182 milionë euro) dhe SL Benfica (vlera e markës në rënie prej 12% në 101 milionë euro) si të vetmet 4 klube jashtë pesë kampionateve kryesore.
Marka e Flamengo vlen mbi dyfishin e markës së klubit tjetër më të vlefshëm brazilian, Palmeiras (vlera e markës 42 milionë euro).
Klubet gjermane në stanjacion, por Eintracht Frankfurt arrin sukses
Bayern Munich regjistroi një rritje të vlerës së markës prej 5%, duke arritur 1,1 miliardë euro, falë titullit të 10 me radhë në Bundesligë.
Megjithatë, historia nuk është kaq e bukur për klubet e tjera gjermane – vlera totale e përfaqësuar nga klubet e Bundesligës ra me 5% në vitin 2022. Kjo erdhi kryesisht për shkak të rënies së perceptimit të kampionatit, i cili është një faktor që ndikon në fuqinë e markës së secilit klub.
Vetëm 18% e tifozëve mendon se Bundesliga është shumë konkurruese, krahasuar me 60% për Premier League angleze dhe Seria A braziliane dhe 50% për LaLiga spanjolle.
Klubi që thyen këtë tendencë është Eintracht Frankfurt (vlera e markës është rritur me 8% në 191 milionë euro) i cili është rritur me tre pozicione në vendin e 22, pas fitores së Europa League përballë Rangers në Sevilje.
Rritja e vlerës së markës erdhi si rezultat i ndërthurjes së një rritje të Brand Strength Index dhe parashikimeve më pozitive të të ardhurave.
Champions League i sezonit të ardhshëm mendohet se do japë një shtysë të të ardhurave nga ndeshjet, transmetimet televizive dhe të ardhurat tregtare.
Tottenham Hotspur është tashmë ndër 10 klubet e para në nivel botëror
Tottenham Hotspur FC (vlera e markës në rritje me 21% në 873 milionë euro) ka arritur një rekord historik në vlerësimin e markës, duke u renditur i teti si marka me vlerën më të lartë në nivel global, sipër klubit londinez Chelsea FC (vlera e markës në rritje me 11% në 855 milionë euro) dhe Arsenal FC (vlera e markës në rritje me 18% në 793 milionë euro).
Në këtë sezon, Tottenham renditet sipër Arsenal dhe Manchester United, duke siguruar një vend në fazën e grupeve të Champions League 2022/23, që është bërë gjithnjë e më e rëndësishme për të gjitha palët e interesuara të klubeve (stakeholders) – lojtarë, sponsorë, pronarë, transmetuesit televizivë, – janë të gjithë të ndikuar fuqishëm nga prania në kompeticionet më të mira ndërkombëtare të Europës.
Që kur hynë për herë të parë në Top 10 e markave futbollistike me vlerën më të lartë në vitin 2015, Spurs-at kanë rritur vazhdimisht si fuqinë e markës, si të ardhurat. Spurs janë klasifikuar shpesh në fazën e grupeve të Champions League, duke rritur të ardhurat nga transmetimet televizive, dhe duke i mundësuar klubit të paguajë një çmim për partneritetet.
Ndërtimi i stadiumit të Tottenham Hotspur ka rritur të ardhurat nga ndeshjet, por drejtuesit nuk kanë arritur ende objektivin e gjetjes së një sponsori fitimprurës për emrin e stadiumit.
Atalanta dhe Real Betis rriten fuqishëm, ndërsa ecuria e ekipit përmirësohet
Real Betis (vlera e markës në rritje me 33%) është një nga markat me rritjen më të shpejtë pas një sezoni të suksesshëm në vend, duke fituar çmimin e parë në 17 vjet me triumfin në Copa Del Rey dhe duke humbur për pak kualifikimin e Champions League.
Klubi perceptohet mirë nga tifozët – është klubi spanjoll më i vlerësuar si një forcë pozitive në komunitetin lokal – dhe këto atribute e kanë shtyrë BSI-në me 5 pikë në 75.6, një vlerësim AA+.
Atalanta (vlera e markës në rritje me 52% në 123 milionë euro) arriti një rritje shumë të fortë të vlerës së markës në lidhje me arritjen në çerekfinale në kompeticionin e Europa League 2022 dhe ka qenë në gjendje të shfrytëzojë suksesin e saj në fushë, për të arritur të ardhura më të larta komerciale.