Presidenti i Real Madrid, Florentino Pérez, arriti një marrëveshje për shfrytëzimin komercial të stadiumit të ri “Santiago Bernabéu”, me shoqërinë amerikane “Legends”, e specializuar prej 25 vjetësh në marketingun e impianteve sportive. Kjo bëhet e ditur në faqen Vozpópuli, në të cilën jepen detaje interesante mbi marrëveshjen e shoqërisë me klubin spanjoll.
Marrëveshja do të zgjasë 25 vjet, gjatë të cilave shoqëria amerikane mund të marrë pjesë në biznesin e stadiumit të ri, falë shërbimeve të marketingut. “Legends” do të përfitojnë 20% të të ardhurave që do të vijnë nga shfrytëzimi komercial i impiantit të ri, me premtimin për t’i gjeneruar të ardhura përtej një kufiri të caktuar Real Madrid.
Shoqëria amerikane është në pronësi të fondit me kapital sipërmarrës (venture capital) Sixth Street, e cila zotëron edhe 20% të San Antonio Spurs (franchise e NBA), një nga ligat sportive që mund të sjellë ngjarje sportive pikërisht në “Santiago Bernabéu”. Sipas vlerësimeve të “Legends”, nëpërmjet impiantit të ri mund të krijohet një xhiro të ardhurash rreth 400-440 milionë euro në sezon. Kjo sepse “Santiago Bernabéu” – ashtu si stadiume të reja të ndërtuara këtë vit – duhet “të jetojë” 365 ditë të vitit, duke i ofruar publikut shfaqje dhe aktivitete të llojeve të ndryshme, si koncerte, dyqane, restorante e shumë të tjera.
Për këtë arsye, së shpejti “Legends” do të duhet të paguajnë rreth 150 milionë euro, që mund të shkojnë deri në 400-440 milionë euro, me kushtin që Real Madrid të arrijë objektivat. Shtesa më e fundit e klubit në projektin e rizhvillimit të “Bernabéu” përfshin dy parkingje nëntokësore nën Paseo de la Castellana dhe Padre Damián me deri në 1667 vende. Parkimet e makinave do t’i mundësojnë Realit dhe financuesve të tij të arrijnë rreth 270 milionë të ardhura gjatë 30 viteve të një koncesioni hipotetik, në pritje të miratimit nga Këshilli i Qytetit të Madridit.
Për të financuar të gjithë punimet, Blancos kanë marrë hua rreth 1.000 milionë euro, që duhet të shlyhen në një periudhë 25 – 30 vjet. Qëllimi i Florentino Pérez është të rrisë vlerën e klubit në një afat të shkurtër, për t’i rezistuar kërcënimit të rivalëve si Manchester City dhe klubeve të tjera të mëdha europiane.
/ Calcio & Finanza